Në këtë festival të muzikës elektronike që organizohet në një plazh në Spanjën lindore janë ngritur disa tenda ku të rinjtë mund të testojnë pijet e tyre për t’u siguruar që nuk përmbajnë substanca të huaja të futura në pije pa pëlqimin e tyre.
Qëllimi është të parandalohen rastet e mundshme të dhunës me bazë gjinore ose abuzimit seksual. Mostrat merren përmes pikave nga pijet e pjesëmarrësve dhe futen në një epruvetë me një reagent kimik. Nëse lëngu përmban substanca të huaja, ai merr ngjyrë të kuqe të ndezur.
“Në rast se një test merr ngjyrë të kuqe të ndezur dhe rezulton pozitiv, ne telefonojmë 112 që ata të kryejnë një test më të besueshëm dhe nëse testi i tyre është pozitiv për ekstazi, atëherë ky rast raportohet në polici në mënyrë që autori të mbajë përgjegjësi”.
Edhe vetë të rinjtë e kanë mirëpritur këtë nismë.
“Mendoj se është shumë mirë, të bën të ndihesh më e qetë duke ditur se ka diku ku mund të shkosh nëse të ndodh diçka, në mënyrë që ata të të ndihmojnë apo edhe të të këshillojnë.”
Kjo është një nismë e Ministrisë Spanjolle të Barazisë, në bashkëpunim me qeveritë lokale, për të ndihmuar viktimat dhe dëshmitarët e ngacmimeve seksuale dhe dhunës me bazë gjinore.
Ndërkohë, Medusa është festivali më i madh i muzikës elektronike që mbahet në Spanjë.
Sipas organizatorëve festivali festoi 10-vjetorin e tij me më shumë se 56,000 njerëz të pranishëm në koncertet e fundit.
Klan News