“Do të vaksinojmë 60 përqind të popullsisë”
“Situata epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut është stabile dhe trendi i tillë besojmë se do të vazhdojë”, ka thënë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe duke shtuar se gjatë festave numri i shkeljes së masave ka qenë tejet i vogël.
Por, përkundër pasqyrës stabile, nuk do të ketë lehtësim të masave, të paktën deri më 21 Janar, tha ministri Filipçe, duke iu përgjigjur kërkesave të pronarëve të lokaleve të cilët kërkuan që nga e hëna orari i punës të jetë deri në orën 23:00.
“Shkurtimi i orarit të punës së lokaleve thamë se do të jetë deri më 21 Janar, kur praktikisht përfundojnë festat dhe atëherë me automatizëm i rikthehemi orarit deri ora 21:00. Por do ta shqyrtojmë kërkesën. Gjithçka rreth lehtësimit të masave, vendimi do të merret pas 21 Janarit”.
Maqedonia e Veriut ka aplikuar që të jetë në grupin e parë të vendeve që do të pajisen me vaksina nga mekanizmi COVAX dhe dozat e para pritet të arrijnë nga fundi i muajit Janar dhe fillimi i Shkurtit. Bëhet fjalë për vaksinën “Pfizer”, ndërsa më pas ajo që vjen parasysh është vaksina “AstraZeneca”.
“Praktikisht tashmë kemi aplikuar që të jemi në grupin e parë të vendeve, në pajtim me gatishmërinë e sistemit tonë, lidhur me ruajtjen në temperaturën minus 70 gradë Celsius, distribuimin dhe aplikimin praktik përmes qendrave të shëndetit publik, të jemi në grupin e parë të vendeve që do t’i pranonin vaksinat”.
Ministri Filipçe nënvizoi se me nga 800 mijë doza përmes 3 mekanizmave, do të vaksinoheshin rreth 60 përqind e popullatës.
“Nga tre mekanizma nga 800 mijë doza për 400 mijë qytetarë. Domethënë gjithsej 1 milion e 200 mijë qytetarë, që është afër 60 përqind e popullsisë, siç janë tani parashikimet se duhet të arrihet imunitet kolektiv dhe këto janë parashikimet edhe në të gjitha vendet tjera”.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i përgjithshëm i pacientëve që trajtohen në spitalet covid të vendit është 818, kurse raportohet për rreth 400 shtretër të lirë.
Masat restriktive qeveritare, në mesin e të cilëve edhe shkurtimi i orarit të punës së lokaleve deri në orën 18:00, hynë në fuqi më 18 Dhjetor dhe kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së infektimeve gjatë festave të fundvitit dhe ato fetare. Këto masa janë në fuqi deri më 21 Janar.
Klan Macedonia