Kompeticioni i këngës Eurovision është përballur me kaos e konfuzion në rritje, deri në mbërritjen në finalen e madhe të kësaj të shtune.
Konkurrenti holandez u skualifikua, një tjetër u tërhoq nga provat, ndërsa një i tretë theu rregullat, duke mbajtur një fjalim në skenë, ku bëri thirrje për paqe.
Drama po shpaloset minutë pas minute, kundër protestave masive që bëjnë thirrje për përjashtimin e Izraelit nga spektakli.
Me mijëra demonstrues pro-Palestinës u mbledhën në Malmo të Suedisë, aty ku zhvillohet edhe ky kompeticion. Këto ishin pamje që përcolli më herët tvklan.al ekskluzivisht nga qyteti suedez.
Protesta u mbyll gjatë orëve të mbrëmjes pa incidente.
Disa prej protestuesve thërrisnin “Eurovision, i bashkuar nga genocidi”, duke reflektuar forcën e ndjenjës humanitare që rëndon mbi fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, që erdhi pas sulmeve vdekjeprurëse të Hamasit, Tetorin e shkuar.
Eurovision, që gjithnjë e ka etiketuar veten si jo-politik, i ka rezistuar thirrjeve për të përjashtuar Izraelin nga kompeticioni. Megjithatë, ata kërkuan nga përfaqësuesja izraelite, Eden Golan, që të ndryshonte tekstin e këngës së saj të titulluar “Hurricane” (Uragan), duke hequr vargjet që i referoheshin sulmit të 7 Tetorit.
Golan, e cila është vetëm 20-vjeçe, ruhet me roje të armatosura ndërkohë që pritet të performojë në natën finale. Në fakt i gjithë qyteti i Malmos është vendosur nën masa të rrepta sigurie.
Shumë konkurrentë të tjerë janë shprehur kundër luftës Izrael-Gaza, megjithatë asnjë nuk është tërhequr nga Eurovision, duke zgjedhur që t’i bashkohen sloganit të festivalit, “të bashkuar nga muzika”.
Por konkurrenti francez, Slimane, theu protokollin gjatë provave të mbajtur pasditen e së shtunës, duke ndërprerë këngën për të mbajtur një fjalim.
“Dua vetëm të them diçka. Çdo artist këtu do të këndojë për dashurinë dhe paqen. Duhet të jemi të bashkuar nga muzika, po, por me dashuri për paqen. Të bashkuar nga muzika po, por me dashuri për paqen”, përsëriti ai.
Deklarata në vetvete mund të ketë shkelur rregullat e Eurovision, që nuk lejon deklarata politike.
Më herët, konkurrentja irlandeze Bambie Thug u tërhoq nga provat, pasi u ankua për mbulimin e performancës së saj nga televizioni izraelit.
Nga ana tjetër, konkurrenti holandez Joost Klein u përjashtua nga kompeticioni pas një incidenti të ndodhur nga prapaskenë të enjten.
Një akuzë për intimidim u bë në policinë suedeze nga një anëtare e produksionit. Policia tha se Klein ishte marrë në pyetje për ‘kërcënime të jashtëligjshme’ dhe se çështja do t’i përcillej prokurorisë brenda pak javëve.
Ndërkohë, mediat norvegjeze raportojnë se zëdhënësja e jurisë së tyre është tërhequr për shkak të ‘situatës së nxehtë’ në Malmo.
Të gjitha këto shënjuan këtë vit festivalin europian që zakonisht është një event i gëzueshëm dhe festiv.
Autoritetet drejtuese të Eurovision janë në alarm maksimal për çdo deklaratë politike që mund të ndodhë gjatë finales që transmetohet live, e që shihet nga më shumë se 160 milionë njerëz në mbarë botën.
Megjithatë mesazhet e fshehura nuk kanë munguar gjatë netëve gjysmëfinale. As tensionet po ashtu. Disa prej spektatorëve i kthyen kurrizin dhe lëshuan thirrje kundër, gjatë performancës së këngëtares izraelite të enjten. Konkurrentja italiane Angelina Mango tha për BBC se në prapaskenë kishte shumë tension./tvklan.al