Zemërim në Holandë e më gjerë, pasi konkurrenti holandez në Eurovision, u përjashtua papritur nga gara disa orë para finales të së shtunës, për një incident në prapaskenë që po hetohet nga policia. Bashkimi Europian i Transmetuesve, i cili organizon Eurovizionin, tha se policia suedeze po heton “një ankesë të bërë nga një punonjëse femër e produksionit” ndaj këngëtarit Joost Klein dhe nuk është e përshtatshme që ai të marrë pjesë ndërsa zhvillohet hetimi.
Klein nuk mori pjesë në dy provat e veshjes të premten në qytetin suedez të Malmos. Më pas EBU-ja tha se Klein nuk do të marrë asnjë pikë nga juritë kombëtare ose nga shikuesit e Eurovizionit, të cilët ndihmojnë në zgjedhjen e fituesit dhe Holanda nuk do të shfaqet në tabelën e rezultateve të konkursit. Një skualifikim i tillë në minutën e fundit është i paprecedentë në historinë 68-vjeçare të Eurovizionit, megjithëse vendet e kanë bojkotuar ngjarjen dhe në disa raste janë dëbuar përfshirë Rusinë.
Transmetuesi holandez AVROTROS, një nga dhjetëra transmetuesit publikë që financojnë dhe transmetojnë kolektivisht konkursin, u shpreh “i tronditur nga vendimi”. Më vonë ajo lëshoi një deklaratë duke thënë se ndërsa Klein doli jashtë skenës pas gjysmëfinales të së enjtes, ai u filmua pa pëlqimin e tij dhe bëri një “lëvizje kërcënuese” drejt kamerës.
Transmetuesi tha se Klein nuk e preku kamerën ose kameramanin dhe e quajti përjashtimin e tij një dënim “shumë të rëndë dhe jo proporcional”. Këngëtari dhe reperi 26-vjeçar holandez ka qenë i preferuari i publikut, si dhe i preferuari i fansave, me këngën e tij “Europapa”, një këngë optimiste tekno mbi diversitetin e kontinentit dhe gjithashtu një nderim për prindërit e Klein të cilët kanë ndërruar jetë kur ishte fëmijë.
Klan News