Zvicra u shpall fituese e Eurovision 2024 duke mposhtur Kroacinë nënkampione, pasi ishte në mesin e treshes për të fituar konkursin.

Reperi i quajtur Nemo me këngën e tij “The Code” arriti të mposhtte çdo pritshmëri dhe të rrëmbente trofeun.

Me një mesazh paqeje, artisti zviceran, i përlotur dhe i shtangur nga fitorja, foli për atë që do të dëshironte të ishte vijimësia e festivalit më të madh kontinental muzikor, ku nuk munguan aspektet kontroverse në tërësi.

“ Thjesht të bëhesha pjesë e Eurovision ishte e veçantë. Nuk e dija që kjo këngë ka ndryshuar jetën time. Më duhet të them që e gjithë kjo përvojë ishte me të vërtetë intensive dhe e këndshme gjatë gjithë rrugës. Shpresoj që ky festival të shfaqë atë për çfarë shërben vërtetë: Paqen.”

Baby Lasagna i Kroacisë, emri i vërtetë Marko Purisic, 28 vjeç, doli i dyti me këngën “Rim Tim Tagi Dim”. Nga ana tjetër, në vendin e tretë u radhit dyshja ukrainase, alyona alyona dhe Jerry Heil, me këngën e veçantë Teresa & Maria. Franca u rendit në vendin e katërt dhe Eden Golan i Izraelit, 20 vjeç, përfundoi i pesti në garë pavarësisht thirrjeve të demonstruesve për të bojkotuar festivalin.

Njëzet e pesë vende konkurruan në finale pasi artisti holandez Joost Klein u përjashtua për shkak se kërcënoi një punonjëse të produksionit ndërsa ajo po e filmonte pa leje. Televizioni publik holandez u shpreh i tronditur nga vendimi. Votat e publikut përbënin gjysmën e rezultatit përfundimtar, ndërsa juria prej pesë profesionistësh të muzikës përbënin gjysmën tjetër.

E cilësuar si një festë e mirë e diversitetit evropian, gara e këtij viti është vënë në qendër të vëmendjes politike me thirrjet për përjashtimin e Izraelit për shkak të fushatës së tij ushtarake në Gaza, të shkaktuar nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 Tetor në Izrael.

Ndërkaq para finales së Eurovizion një grup që protestonte kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision Song Contest u rrethuan nga policia në Malmo. Mijëra njerëz protestuan në qytet duke hedhur një hije mbi finalen.

Organizatorët e Eurovizionit, të cilët gjithmonë e konsiderojnë ngjarjen vjetore si jopolitike, i kanë rezistuar thirrjeve për të përjashtuar Izraelin, por kërkuan që teksti i hyrjes së tij të ndryshohej për të hequr atë që organizatorët e quajtën referenca për sulmin vdekjeprurës të Hamasit më 7 Tetor që shkaktoi luftën.

Një turmë e madhe protestuesish u mblodhën në sheshin qendror të qytetit pritës suedez përpara se të marshonin drejt vendit ku do të mbahej konkursi, duke valëvitur flamujt palestinezë dhe duke thirrur “Eurovizioni i bashkuar nga gjenocidi”.

Klan News