Shqipëria do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian gjatë periudhës mes viteve 2015-2020.

Kështu shkruan gazeta britanike “Financial Times”. Sipas artikullit, në fokusin e të cilit është procesi i zgjerimit të bllokut 27 anëtarësh, thuhet se bashkë me Shqipërinë do të anëtarësohet edhe Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.

Periudha aktuale, thotë Financial Times, shënon edhe ndërprerjen thuaj të plotë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Për më tepër recesioni ekonomik aktual dhe problemet e brendshme në Bllok nuk krijojnë bazën e mjaftueshme për të pranuar shtete të reja, argumenton Financial Times.

Raporti është i përgjithshëm për të gjitha vendet e rajonit ndërkohë që thuhet se Kroacia duhet të përfundojë negociatat me Brukselin, Maqedonia duhet të fillojë menjëherë me negociatat për hyrjen në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja janë gati për të paraqitur kërkesat për anëtarësim./tvklan.al