Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi nga konferenca e Mynihut se nuk do të ketë negociata të besueshme dhe të suksesshme, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme, pa Ukrainën dhe pa Bashkimin Evropian. 

“Sot mesazhi im është i qartë. Nuk po dorëzohemi. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën si pjesë integrale e projektit tonë për paqen. Vetëm Ukraina mund të përcaktojë kur ka kushte për një negocim. Supozimi i lëshimeve përpara çdo negocimi është një gabim i madh. Prandaj, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Ukrainën: në negociata, duke ofruar garanci sigurie, në rindërtim dhe si një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha Antonio Costa.

Shpenzimet e mbrojtjes u rritën me 30% që nga viti 2021. Vendet e Bashkimit Evropian që janë në NATO tani shpenzojnë mesatarisht 2% për mbrojtjen.

“Një paqe gjithëpërfshirëse nuk mund të jetë një armëpushim i thjeshtë. Nuk mund t’i japë Rusisë mundësinë për të sulmuar më. Nuk mund ta shpërblejë agresorin. Ajo duhet të garantojë se Rusia nuk do të jetë më një kërcënim për Ukrainën, për Evropën, për fqinjët e saj. Nuk do të ketë negociata të besueshme dhe të suksesshme, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme, pa Ukrainën dhe pa Bashkimin Evropian”, tha Antonio Costa.  

Sipas presidentit të Këshillit Evropian, Bashkimi Evropian pas Shkurtit të vitit 2022 nuk është si më parë sepse u përshpejtua zgjerimin në Ballkanin Perëndimor dhe u hapën negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë.

Klan News