Rreth një javë pasi u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit dhe iu caktua masa sigurimit personal “arrest në shtëpi” nga gjykata, Kreshnik Farruku alias Budlla është vendosur sërish në pranga.
Prokuroria e Posaçme ka firmosur urdhër-arrestin në zbatim të një tjetër letër-porosie të ardhur sërish nga autoritete italiane. Burime për Klan News bëjnë me dije se Farruku sërish dyshohet për çështje të trafikut të drogës në vendin fqinj dhe pastrim parash.
Disa kohë më parë autoritetet tona zhvilluan një operacion duke kontrolluar banesën e Kreshnik Farrukut dhe objekte të tjera për llogari të Prokurorisë së Breshias. Gjatë atij kontolli hetuesit nuk gjetën dot Kreshnik Farrukun, por sekuestruan celularin e tij që u gjet i hapur, aparati telefonik i është nënshtruar akt ekspertimit teknik nga SPAK.
Autoritetet italiane pretendonin se Kreshnik Farruku pastronte para përmes një rrjeti kompanishë të drejtuara nga një organizatë italo-kineze. Sipas Prokurorisë së Breshias, këto kompani kanë lëshuar fatura fiktive dhe kanë arritur që të pastrojnë rreth 375 milionë Euro.
Kreshnik Farruku dyshohet për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Emri i Kreshnik Farrukut është përmendur prej vitesh nga drejtësia e Spanjës dhe Italisë për shkak të dyshimeve se ishte i përfshirë në trafik droge.
Për herë të parë emri i tij është përmendur në vitin 2010 nga drejtësia spanjolle. Në atë kohë ai u arrestua në Spanjë me 20 kg kokainë. 4 vite më vonë në vitin 2014, Kreshnik Farruku është arratisur nga burgu në Spanjë për tu riarrestuar në vitin 2019.
Klan News