Dritan Llalla, një emigrant shqiptar në Greqi thotë në emisionin “Stop” në Tv Klan se është mashtruar nga kryetari i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Athinë, Arben Cani i cili i premtoi t’i bënte disa dokumente të gruas, të cilat nuk i mbylli. Dritani pagoi 800 euro si fillim dhe pas gati 4 vjetësh, as ka mbaruar punë e as ka marrë paratë.
Dritan Llalla, denoncues: Jam i mashtruar nga kryetari i shoqatës sonë (i emigrantëve shqiptarë), nga Arben Cani në Athinë, për të më bërë disa dokumenta të gruas sime, të cilat nuk i mbylli fare. Kam paguar 800 euro, si fillim. Kanë kaluar mbi tre vjet, afër 4 vjet dhe nuk dëshiron as të flasë. Në fillim më gënjente: ‘Do të t’i kthej’, kurse tani as që dëshiron të flasë fare. M’u tregua njeri i thjeshtë, i ndihmës, më tregonte ndihma, çfarë kishte bërë. Është taksixhi. Gjatë udhëtimit, që do vija në destinacion, folëm këto gjëra. ‘Kam një shqetësim për gruan’, i thashë unë.’ ‘Janë djegur letrat e gruas, se ndenji mbi 6 muaj në Shqipëri, se kisha një problem, dhe kur i rinovova, m’i dogjën’, i thashë unë. ‘T’i bëj unë kollaj’, tha ai. ‘Më dërgo këto e ato’. Si paradhënie, 750 euro. I dhashë 800. Ai kërkonte 1500 euro në total.
Në komunikimin e fundit me Arbenin, ky i fundit thotë se do t’ia kthejë paratë, por ka patur probleme.
Arben Cani: Lekët do të t’i kthej.
Denoncuesi: Po mirë, kur do t’i kthesh? Vajtën tre vjet, do pres edhe tre të tjerë?
Arben Cani: Kam shumë probleme të ndryshme.
Denoncuesi: O Beni, më shumë probleme se unë… Ti e di, që unë jam i sëmurë shumë.
Arben Cani: E ke shumë gabim, shoku! Unë kam probleme shumë serioze.
Denoncuesi: Po cfarë të them unë? Ti, do, që të t’i fal?
Arben Cani: Kam shumë probleme, jo probleme, vëlla!
Denoncuesi: Ore, dakord jam me ty, po cfarë të të lë më? Vajtën 4 vjet, ato janë të miat. Si thua ti, që nuk t’i jap lekët e tua, se kam hallet e mia? Ti thua, që të mos m’i japësh fare?
Arben Cani: Kush ta tha, mor shoku im, më fal, të lutem!
Denoncuesi: Beni, edhe unë të lutem! Mënyra, se si po venë gjërat, i bie, që unë s’do t’i marr kurrë ato.
Arben Cani: E ke shumë gabim! Prit edhe pak, se unë jam keq!
Ndërsa në komunikimin me gazetarin e “Stop”, Arbeni kërcënon me gjyqe në gjykatat greke.
Arben Cani: Shërbimi i premtuar, nuk është i premtuar. Janë shërbime ligjore, që ia kam dorëzuar zyrës ligjore të avokatisë, sepse ne përfaqësohemi me një zyrë emigracioni në Greqi.
Gazetari: Ju kur do t’ia ktheni këto 800 euro?
Arben Cani: Zotëri, nuk është problemi te 800 euroshi. Problemi është, se kanë nisur procedurat dhe i ka në mes. Procedurat e dokumentacionit zotëria nuk i ka të plota.
Gazetari: Duke analizuar komunikimin që ju keni pasur me njëri-tjetrin, natyrën e kësaj çështjeje, këtë zvarritje kaq të gjatë…
Arben Cani: Nuk keni të drejtë të incizoni biseda. Individuale, nuk keni… Ndryshe, do i drejtohem unë organeve kompetente greke e jo shqiptare.
Në ballafaqimin e fundit mes tyre, Arbeni premton t’ia rikthejë paratë denoncuesit.
Denoncuesi: Ai del dhe flet nëpër tv, edhe kur erdhi z.Edi Rama në Athinë, ai doli foli për pensionet tona. Problemi është se mbase ndikon shumë edhe nëpër njerëz të tjerë, ky muhabet. Mbase bën edhe gjëra të tjera, se nuk është problemi vetëm te 800 euroshi, problemi është të mos bien pre shqiptarët, se shqiptarët këtu në Greqi, po qe për leje qëndrimi, bien kollaj pre se nuk i bëjnë dot kollaj.
Arben Cani: Më morën në telefon gazetarët nga Shqipëria, për gjëra që për mua janë anormale. Do të flas me avokatin, do lëmë procedurat në mes pa kryer dhe ti do marrësh lekët e tua.
Denoncuesi: O Beni, po çfarë procedurash ke vazhduar? Ato s’u mbyllën kurrë, kanë katër vjet, ti thua procedurat. O Beni, ti nuk i mbylle fare letrat. Tani, çfarë do më thuash si konkluzion? Nuk kishe fare oreks që të flisje. Ore, sikur të gënjeje edhe njëherë, prapë, siç gënjeve nga fillimi, por nuk kishe më fare dëshirë. Tani, lekët do m’i kthesh? Atë, që do ma thuash tani, do ma thuash dhe do ta mbash, në qoftë se e mban, “do të t’i kthej ose nuk do të t’i kthej”. Kaq!
Arben Cani: Ok! Ditën e hënë pasdite, do flas me avokatin, të vish të marrësh lekët, ose do të t’i postoj./tvklan.al