Disa ditë më parë emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi problemin e zotit Dritan Llalla, një emigrant shqiptar në Greqi i cili thotë se është mashtruar nga kryetari i shoqatës së emigrantëve shqiptarë, Arben Cani në Athinë. Ky i fundit i premtoi t’i bënte disa dokumente të gruas, të cilat nuk i mbylli. Dritani pagoi 800 euro si fillim dhe pas gati 4 vjetësh, as ka mbaruar punë e as ka marrë paratë.

Në komunikimin e fundit me Arbenin, ky i fundit thotë se do ia kthejë paratë por ka pasur probleme. Ndërsa në komunikim me gazetarin e “Stop”, Arbeni kërcënon me gjyqe në gjykatat greke. “Stop” kontaktoi sërish me zotin Dritan Llalla pas transmetimit dhe ai i lumtur tha se kishte arritur të merrte paratë e veta falë emisionit.

Pas Dritani e zgjidhi problemin, një sërë denoncimesh të tjera mbërritën në redaksi. Safete Skartados, Bujar Terziu e të tjerë qytetarë treguan problematika të ngjashme me Dritanin, duke thënë se Arben Cani iu detyrohet shuma parash pasi u kishte premtuar zgjidhje letrash.

Safete Skartados, denoncuese: Ngaqë pashë edhe unë emisionin “Stop”, ku dhatë atë personin që ishte mashtruar nga z.Arben Cani…, ky ka dy emra, është edhe si Panajot Cani. Në 2018-ën, u nisa si anëtare e lobit. Ishim një grup që donim të shkonim në Gjermani, një ditë më përpara duheshin prerë biletat. 6500 Euro ishin të gjitha bashkë. I pagova biletat, i bashkova të gjitha bashkë dhe të nesërmen në mëngjes ua mblodhi paratë të tërëvë dhe i futi në xhepin e vet. I thashë: “Zotëri, tani i bashkove paratë. A ke mundësi me tëm’i japësh paratë para se të nisemi për në Gjermani, për arsye se biletat i kam paguar vetë, nuk i ke paguar ti?” “Motër, mos ma prish organizimin, se do të shkojmë në Gjermani. Nuk kam para me vete vëllai yt se shqiptarë jemi, merremi vesh. Ai detyrohet të më kthejë 4500 Euro. ”Shko moj zonjë, se ke para boll!” E kam denoncuar dy herë. Jam emigrante këtu e 35 vjet, që të mos dëmtohen motra dhe vëllezër të tjerë, largohuni prej këtij kryetari të shoqatës, se nuk është kryetar i Shoqatës së Emigrantëve, ky është mashtruesi i Shoqatës së Emigrantëve!

Emigrantja X: Kisha probleme për të nxjerrë disa dokumenta dhe i kërkova ndihmë. Ai e mori përsipër. Njoh unë persona, tha që të t’i nxjerrin dokumentat dhe thjesht më duhen kaq lekë, tha. Flitet për afro 4000 Euro, 4200, por 1000 m’i ka dhënë. Komunikimi i fundit ishte sot.

Gazetari: Dhe çfarë ju ka thënë?

Emigrantja X: Më kërkon falje, kam pasur probleme thotë, e di që e kam tejkaluar me ty, thotë, por nuk kam pasur mundësi, kam pasur njerëz të sëmurë…

Bujar Terziu, emigrant: Unë me Arben Canin kam ca probleme, që më ka premtuar letrat. I kam dhënë Arben Canit 4500 Euro dhe pastaj më mori dhe më tha, që unë jam kryetari i shoqatës dhe nuk bëj asgjë më.

Gazetari: Keni një dokument që vërtetohet që ia keni kaluar këto para atij?

Bujar Terziu, emigrant: Ia kam dërguar me Western Union. I kam folur dhe më ka thënë, që mos m’i bjer më telefonit. Atje në Athinë, i kam çuar njerëz te shtëpia për t’i marrë lekët, po ai është fshehur. Unë ato lekë i fitoj me djersë.

Gazetari i “Stop” kontakton sërish me Arben Canin dhe sërish ai jep të njëjtën përgjigje.

Arben Cani: Përshëndetje!

Gazetari: Të kërkoj ndjesë përsëri! Unë jam gazetari i “Stop”-it, na kanë ardhur të tjera denoncime për ju, mund të na thoni çfarë jeni duke bërë?

Arben Cani: Zotëri, nuk po bëjmë asnjë gjë, po bëjmë detyrën tonë për emigracionin. Hajdeni te zyra në Athinë që t’ju sqarojmë gjithcka. Për sa i përket denoncimit të parë që keni bërë publikisht, kemi futur përfaqësues ligjor sepse jemi brenda ligjit e rregullave dhe nuk kemi gënjyer apo të kemi mashtruar askënd në botë./tvklan.al