Interesi më i madh mbetet skema e naftës, afati i fundit i aplikimit më 19 prill

Fluks aplikimesh të fermerëve në Lushnje për të aplikuar për skemën kombëtare të subvencionimeve në bujqësi. Të paktën 300 persona pritën në radhë.

Fermerët e interesuar janë dyndur në dyert e Drejtorisë së Bujqësisë për aplikim. Edhe këtë vit interesi më i madh i mbetet skema e naftës, e cila nuk do të jepet me kartë, por paratë do t’u kalojnë fermerëve në llogaritë bankare.

“Kam ardhur që në 7 të mëngjesit.”

“Aplikojmë për naftën, ne tokën e mbjellim 2 herë, 4 herë. Kam 5 hektarë, i kam me noter.”

Disa fermerë nuk kanë informacionin e duhur në lidhje me dokumentat që duhen për aplikim, ndërsa shumë të tjere nuk kanë preferuar të bashkojnë sipërfaqet e tokave bujqësore për të përfituar më shumë.

“Nuk e dimë se si janë rregullat.”

Për shkak të kërkesave të shumta në ditën e parë të aplikimit në skemën e bujqësisë sistemi online ka pasur probleme, por pa cënuar procesin.

Ferdinand Shani (Drejtor i Ekstensionit Bujqësor në Lushnje): Është fluks shumë i madh, gjë e cila gjithnjë është bërë ditët e para. Do të përfitojnë të gjithë dhe ditët e para është problem azhornimi i sistemit, derisa të stabilizohet situata brenda institucionit. Pra u bëjmë thirrje fermerëve mos të shpejtohen, të nxjerrin numrin e llogarisë së bankës, të nxjerrin gjithë dokumentacionin, pastaj të paraqiten për aplikim.

Për herë të parë në skemën kombëtare të subvencionimit në bujqësi jepet mbështetje e fermerëve që kultivojnë bimë mjekësore, deri në 30,000 lekë për të mbjella deri në 1 ha, ndërsa është hequr mbëshetja për grurin. Afati i fundi i aplikimit është 19 prilli.

Klan News