E përditësuar: Disa të ndaluar dhe të paktën 4 makina luksoze të sekuestruara është bilanci paraprak i operacionit të policisë që vijon prej orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës në Shkodër. Operacioni u shtri në 2 lagjet me problematike të qytetit, Dobraç dhe Kiras, të cilat u zgjuan të rrethuara nga forcat speciale RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nuk ka ende të dhëna për personat e shoqëruar dhe arsyen e ndalimit të tyre.

Qindra efektivë duke përfshirë këtu edhe policinë lokale ushtruan kontrolle në banesa dhe bzinese, të ndihmuara edhe nga 10 mjete te blinduara. Operacioni u zhvillua në fshehtësi dhe befasi të plotë duke shkëputur energjinë elektrike për rreth 45 minuta.

Në sitën e policisë kanë kaluar edhe disa hotele, të cilat ndodhen në periferi të qytetit. Pikërisht në keto vende dyshohet se fshiheshin disa persona që njihen si kontigjent kriminal të bandave.

Sipas të dhënave, janë shoqëruar mbi 20 persona. Kjo lëvizje e policisë vjen pas vrasjeve mafioze të ndodhura në qytetin verior gjatë dy muajve të fundit.

Prej 18 Qershorit, në Shkodër kanë ndodhur 5 vrasje të tipit mafioz, ende pa autor. Mehdi Kavaja u qëllua me një plumb në kokë në servisin e tij.

Në 15 Korrik ish-oficeri i policies, Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndocaj u ekzekutuan në makinën e tyre dhe në mjet ndodhej dhe fëmija i tyre 1-vjeçar.

Në 10 Gusht në Kiras u vra me breshëri kallashnikovi teksa qëndronte në lokal, Fatbardh Lici.

Në 23 Gusht në Dobraç u zhdukën dajë e nip Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj. Në 1 Shtator, Arian Ferracaku u vra me një breshëri kallashnikovi.

Të gjitha ngjarjet pa autor.

Situata në Shkodër për opozitën ndodh me bekimin e qeverisë pasi grupet kriminale kanë mbështetje politike. Për Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj opozita kërkon të nxijë imazhin e vendit. Ndërsa premtoi se muaji Shtator do të shënojë një tjetër goditje ndaj grupeve kriminale.

Tv Klan