Leku ka vijuar të forcojë pozitat e tij në raport me monedhat e huaja përgjatë gjithë javës, e cila u mbyll e tillë edhe në raport me monedhën europiane, e cila pavarësisht dobësimit me 0.04 pikë u rikthye sërish në nivelin e së enjtes për t’u këmbyer me 100.3 Lekë.
Ndryshe ndodh me tregun e pikave të këmbimit valuator, tek të cilët prej një jave, monedha europiane është fiksuar në nivelin e 99.8 Lekëve. Vetëm përgjatë muajit Qershor, Euro është zhvlerësuar me 0.12% duke mbetur mesatarisht në nivelin e 100.3 Lekëve.
Nivele të tilla të forcimit të pandalshëm të Lekut, për ekspertët është tregues i pranisë me tepricë të monedhës europiane në vendin tonë. Shkaqet e forcimit të Lekut vijojnë të mbeten paraja që shpenzojnë turistët, remitancat, si dhe fluksi i lartë i investimeve të huaja kryesisht në tregun e pasurive të patundshme.
Referuar kalendarit të ndërhyrjeve nga Banka e Shqipërisë, që prej fillimit të vitit janë planifikuar që përmes 20 ankandeve të blihen në total 330 milion Euro me qëllim rritjen e rezervës valutore.
Tv Klan