Kultura financiare përbën një domosdoshmëri për këdo, duke marrë në konsideratë ritmet e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik.
Në aktivitetin për javën globale të parasë për edukimin e financiar të të rinjve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se synimi është futja në kurrikulat arsimore të edukimit financiar që në moshën e hershme.
Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: Zhvilllimet bashkëkohore kanë rritur edhe rreziqet, pra edukimi financiar nuk është vetëm për informacionin bazik që duhet marrë që në rini, por kohet moderne kanë sjellë edhe rreziqe për qytetarët në punët e tyre me bankat. Këto rreziqe vijnë nga dixhitalizimi, modernizimi i pagesave dhe mirë është që të gjithë qytetarët si dhe të rinjtë të kenë një informacion sa më të mirë për rreziqet që të mos bijen pre e hakerimit ose e-maileve që jane ‘fishing’ për t’ju vjedhur kursimet e tyre.
Sipas guvernatorit Sejko një rritje dhe ndërgjegjësim të edukimit financiar e tregon dhe fakti i rritjes së numrit të qytetarëve që kanë llogari bankare.
Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: 70% e qytetarëve shqiptarë sot kanë llogari bankare krahasur me 3 apo 4 vite më parë që ka qenë 40% dhe ky numër vjen në rritje. Ndërkohe që edhe transaksionet financiare janë rritur konsiderueshëm për qytetarët shqiptarë që tregon që gjithë kjo punë që ne kemi bërë për edukimin dhe përfshirjen financiare po jep rezultate, por sigurisht që ne synojmë që këto rezultate të jenë më të larta. Kjo ndihmon pastaj edhe qeverinë, Ministrinë e Financave veçanërisht për të luftuar informalitetin.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë nismash konkrete në fushën e edukimit ekonomiko-financiar, për krijimin e një kulture të mirëfilltë financiare në shoqërinë tonë, përmes aktiviteteve dhe botimeve edukative.
Klan News