Një 33-vjeçar me iniciale K.M., banues në Elbasan ka përfunduar pas hekurave pasi nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar 1 500 000 Lekë që i tërhoqi nga llogaria bankare e vëllait të tij.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, menjëherë pas administrimit të një kallëzimi të depozituar më datë 01.07.2024, për një rast të mashtrimit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar Cash”, njofton policia.
Prokuroria e Elbasanit ditën e djeshme ka lëshuar urdhër ndalimi për 33-vjeçarin pasi dyshohet se gjatë muajit Qershor 2024, ka tërhequr shumën 1 500 000 Lekë, nga llogaria bankare e vëllait të tij, me kartën të cilën ia kishte marrë nënës së tyre, me anë të mashtrimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda./tvklan.al