Pas vendimit të Këshillit Evropian të Pagesave për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA më 21 Nëntor, Guvernatori Gent Sejko u bëri thirrje institucioneve financiare të nxisin përgatitjet me rigorozitet dhe përkushtim për të respektuar afatet e rregullores përkatëse.
“Unë sot gjej rastin t’ju nxis të nisni përgatitjet me rigorozitet dhe përkushtim për të respektuar afatet e rregullores përkatëse, në mënyrë që të realizoni aderimin në skemat SEPA dhe kryerjen e transaksioneve SEPA për klientët brenda vitit të ardhshëm”, tha Gent Sejko.
Guvernatori Sejko shtoi se Banka e Shqipërisë nxit institucionet financiare të aplikojnë për licencën në fushën e bankingut të hapur për lehtësimin e transaksioneve të qytetarëve.
“Dëshiroj të sjell në vëmendje se në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë nxit institucionet financiare të aplikojnë për licencën në fushën e bankingut të hapur, me qëllim krijimin e një vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare. Vlen të theksohet se operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), i cili do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët”, tha Sejko.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA do t’u kursejë aktorëve ekonomikë dhe qytetarëve rreth 20 milionë Euro vetëm gjatë vitit të parë, si rezultat i uljes së komisioneve.
Klan News