Një aksident jo i zakontë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në kryeqytet, ku një automjet ka përfunduar mbi digën e Liqenit Artificial.
Rrethanat e këtij aksidenti janë të paqarta për vetë faktin se nuk dihet se si ka përfunduar ky automjet mbi digë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa ekspertët rrugorë besojnë se BMW X6 ka qenë duke udhëtuar nga Rruga e Kosovarëve në drejtim të zonës së liqenit. Për shkak të shpejtësisë së lartë ka përfunduar mbi digë i shkatërruar dhe është ndaluar nga barriera mbrojtëse e digës.
Drejtuesi i mjetit ka braktisur vendngjarjen dhe është larguar. Ai ka marrë edhe targat e automjetit për të humbur gjurmët, por Policia Rrugore e Tiranës ka mundur ta identifikojë. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar nga qyteti i Durrësit, për të cilit po punohet për ta shoqëruar në komisariat. Dyshohet se i riu mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit apo të lëndëve narkotike në momentin e aksidentit.
Ndërkohë, policia është duke e hetuar këtë rast, që për fat të mirë nuk ka shkaktuar të lënduar.


NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMË” me drejtues shtetasin E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
/tvklan.al