Këta “jelekëverdhë” në Francë po ngrenë barriera për të bllokuar furnizimin e pikave të karburanteve me naftë. Ata po bllokojnë kalimin e autoboteve me naftë nëpër autostrada e rrugë hyrëse në qytete. Veç dhunës në sheshe, kjo është një nga format për të shprehur revoltën e tyre kundër taksave të qeverisë që kanë rritur me 23% çmimin e naftës.

Protestues:

Barrikadat i kemi ngritur për të mos lejuar kalimin e autobotëve me naftë. Kjo është një hyrje strategjike dhe i saj paralizon ekonominë e gjithë Bordosë.

Pasojat e kësaj mënyre proteste kanë nisur të ndihen tek konsumatorët. Shumë pika karburantesh, kryesisht në rajonin veriperëndimor të Bretanjës ku rezistenca është edhe më e ashpër, janë mbyllur pasi e kanë të pamundur të furnizohen. “Jelekëverdhët” i mbikëqyrin barrikadat përgjatë 24 orëve dhe policia e ka të pamundur në shumë raste t’i largojë.

Zona ndodhet në prag krize, para festave të fundvitit. Por autoritetet franceze hedhin dyshime se organizatorët e protestave të dhunshme të fundjavave në Paris po mobilizojnë njerëz me precedentë kriminalë.

Sipas hetuesve, ata janë të mirëpërgatitur për akte dhune siç dallohet qartë edhe në këto pamje, ku edhe vetë forcat speciale të policisë franceze e kanë pasur të pamundur t’i përballonin. Dëmi ekonomik i shkaktuar përgjatë këtyre tre fundjavave, përllogaritet në qindra miliona Euro.

Tv Klan