Njoftimi i Presidentit amerikan Donald Trump se SHBA mund të marrë kontrollin e Rripin të Gazës pasi popullsia e saj të zhvendoset përgjithmonë në vende të tjera është dënuar në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite lëshoi një deklaratë duke thënë se kundërshton çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët nga atdheu i tyre dhe se nuk do të vendosë lidhje me Izraelin pa një shtet palestinez.
“Arabia Saudite do të vazhdojë përpjekjet e saj të pandërprera për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe nuk do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa këtë”, thuhet në deklaratë.
Një grup kombesh arabe, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë dhe Arabinë Saudite, hodhën poshtë planin nga Trump që banorët e Gazës të zhvendoseshin në vendet fqinje, duke lëshuar një deklaratë të përbashkët se çdo plan që inkurajon transferimin ose “çrrënjosjen” e palestinezëve do të kërcënonte stabilitetin në rajon.
Sipas ligjit ndërkombëtar, përpjekjet për të transferuar me forcë popullatat janë rreptësisht të ndaluara dhe palestinezët si dhe kombet arabe do ta shohin këtë si një propozim të qartë që synon dëbimin e tyre dhe spastrimin etnik nga toka e tyre.
Franca përsëriti kundërshtimin e saj ndaj çdo zhvendosjeje të detyruar të popullatës palestineze të Gazës, e cila do të përbënte një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare, një sulm ndaj aspiratave legjitime të palestinezëve, por gjithashtu një pengesë e madhe për zgjidhjen me dy shtete dhe një faktor i madh destabilizues për partnerët në të gjithë rajonin.
Planin e kundërshtoi kategorikisht edhe kryediplomati turk Hakan Fidan dhe Ministria e Jashtme e Kinës. Kryeministri australian Anthony Albanese tha se qeveria e tij vazhdon të mbështesë një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme “ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe dhe siguri”.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia mbështet krijimin e shtetit palestinez në krah të atij izraelit.
Klan News