Presidenti i Francës Emmanuel Macron dukej mjaft i gëzuar gjatë një konference për shtyp me presidentin e Microsoft Brad Smith. Gjigandi amerikan i teknologjisë, sapo kishte njoftuar investime shtesë prej 4 miliardë eurosh në qendrat e të dhënave dhe sektorin e inteligjencës artificiale në Francë. Me afat deri në vitin 2027!
“Qendra e re e të dhënave do të jetë një nga më të mëdhatë në Evropë dhe do të na ndihmojë të jemi një nga udhëheqësit e ruajtjes së të dhënave dhe AI,” pohoi Macron.
Verën e kaluar, Franca publikoi një strategji kombëtare të AI me 500 milionë euro për t’u investuar në krijimin e grupeve të AI deri në vitin 2030. Disa muaj më vonë, startup-i i Parisit MistralAI iu bashkua ligës së lartë të AI duke u bërë pjesë të të ashtuquajturve “unicorn” në sektor. Pra kompanitë me vlerë më shumë se një miliard dollarë…
Evropa mbetet pas “peshave të rënda” si SHBA-ja dhe Kina
Noah Greene nga Projekti i Sigurisë dhe Stabilitetit të Inteligjencës Artificiale në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane (CNAS) me vendndodhje në Uashington thotë se qeveria franceze ka ndezur një dritë të re kur vendosi të bëhet një kampion i AI.
“Me Shtetet e Bashkuara që janë lideri i qartë i tregut të AI dhe Kina që vjen e dyta përpara Britanisë së Madhe, mbetja prapa e lidershipit të BE-së, Francës dhe Gjermanisë, nuk ishte vetëm për shkak të faktorëve teknologjikë, tha Greene. “SHBA-ja ka qenë në krye të lojës për kaq shumë kohë ndaj investitorët preferojnë të vendosin paratë e tyre këtu, pasi ata e dinë se talenti institucional dhe infrastruktura tashmë ekzistojnë.”
Ndërkohë, Franca ka një “kod shumë kompleks të punës dhe firmat e mëdha të teknologjisë amerikane si Google, janë munduar për tu përshtatur me këto ligje,” shtoi ai.
Franca ‘ka studiues të shkëlqyer të AI’
Por Veronique Ventos, bashkëthemeluese e startup-it me bazë në Paris NukkAI, thotë se ajo kurrë nuk i konsideron ligjet franceze të punës si pengesë.
“Ne gjithmonë e dinim se do të krijonim kompaninë tonë në Francë me studiuesit e saj të shkëlqyer dhe programe të shumta mbështetëse për startup-et”, tha Ventos. Ajo pretendon se AI i kompanisë është i ndryshëm nga të tjerët sepse “njerëzit janë plotësisht të integruar”.
“Ata mund të vëzhgojnë proceset e saj dhe u thuhet pse AI po bën rekomandime dhe ndërmerr vendime të caktuara,” shpjegoi ajo. “Teknologjia po përdorte dukshëm më pak të dhëna se algoritmet e tjera të AI dhe kështu është më efikase në energji.”
Për momentin, NukkAI ka një duzinë klientësh, duke përfshirë grupin francez të hapësirës ajrore Thales dhe organizatën e mbrojtjes së NATO-s. Ato përdorin teknologjinë për të planifikuar logjistikën e tyre.
Startapi gjithashtu bashkëpunon ngushtë me universitetet franceze që i japin NukkAI-t akses në superkompjuterin francez Jean Zay. Me bazë në Saclay në periferitë jugperëndimore të Parisit, Jean Zay është një nga kompjuterët më të fuqishëm të Evropës me një kapacitet prej 36.85 petaflops, ekuivalente me disa katërliona operacione në sekondë.
Gara për fuqinë kompjuterike
Christine Dugoin, profesoreshë e asociuar në Observatorin e Inteligjencës Artificiale të Universitetit Paris 1 Pantéon-Sorbonne mendon se Franca, si dhe e gjithë Evropa, kanë nevojë për më shumë superkompjuterë të fuqishëm. “Kjo është mënyra e vetme që ne të jemi në gjendje të konkurrojmë në fushën e AI.”
Superkompjuterë të tjerë do të inaugurohen vërtet këtë vit dhe vitin e ardhshëm në Jülich, Gjermani dhe në departamentin Essonne pranë Parisit. Makineritë do të jenë të parat në Evropë që tejkalojnë një kapacitet prej një exaflop për sekondë, që është një kuintilion operacione./DW