Qëndrimi i ashpër i Kreut të Shtëpisë së Bardhë ndaj Kievit ka shkaktuar alarm në Evropë. Shefi i Elizesë Emmanuel Macron dhe Kryeministri britanik Keir Starmer do të udhëtojnë javën e ardhshme në Uashington ku do të takohen me Presidentin Trump.
Mediat e huaja sqarojnë se udhëheqësit e dy fuqive bërthamore të Evropës, të cilët do të udhëtojnë veçmas, do të përpiqen të bindin Trump që të mos nxitojë për një marrëveshje armëpushimi me Vladimir Putin, të përfshijë Evropën në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë garancitë ushtarake për Ukrainën.
Macron, i cili po mundohet të përfitojë nga një marrëdhënie e ngushtë me Trump e ndërtuar gjatë mandateve të tyre të para presidenciale, ka thënë se pranimi i një marrëveshjeje të keqe do të përbënte një kapitullim të Ukrainës.
Analistët thonë se dy liderët do të përpiqen të bindin Trumpin që të sigurojë garancitë e SHBA në çdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy vendeve.
Si ushtria britanike ashtu edhe ajo franceze filluan planifikimin për skenarin e pasluftës verën e kaluar, por diskutimet u përshpejtuan në Nëntor pasi Trump siguroi presidencën e SHBA-së.
Planet, ende në fazat e para, përqëndrohen në sigurimin e mbështetjes ajrore, detare, tokësore dhe kibernetike që do të synonte të pengonte Rusinë nga nisja e ndonjë sulmi të ardhshëm.
Një pjesë e bisedimeve britanike dhe franceze përqëndrohen rreth mundësisë së dërgimit të paqeruajtësve evropianë në Ukrainë.
Opsionet që po diskutohen nuk do të përqëndrohen në sigurimin e trupave për vijën e frontit ose kufirin prej 2,000 km i cili do të mbetet i siguruar nga forcat ukrainase, por më tej në Perëndim shkruan agjencia e lajmeve Reuters.
Këto trupa mund të ngarkohen me mbrojtjen e infrastrukturës kryesore të Ukrainës, si portet ose objektet bërthamore. Megjithatë, Rusia e ka bërë të qartë se është kundër pranisë evropiane në Ukrainë.
Klan News