“Gjuha maqedonase është gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer”. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për Alsat, Kryeparlamentari, Afrim Gashi, deklaratë kjo që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Fronti Evropian, duke kërkuar dorëheqjen e tij, shprehu indinjatë dhe revoltë lidhur me këtë deklaratë.

“Përbën jo vetëm një gënjeshtër të hapur, por edhe një tradhti të rëndë ndaj popullit shqiptar, historisë sonë dhe të drejtave tona të fituara me shumë mund”, deklaroi Arbana Pasholli nga Fronti Evropian. 

Si Kryetar i Kuvendit, sipas Frontit Evropian, detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, të ruajë harmoninë ndëretnike dhe të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve, jo të përçajë, të mbjellë përçarje dhe të ulë dinjitetin e komunitetit të dytë më të madh etnik në vend.

“Afrim Gashi ka kaluar një vijë që asnjë shqiptar nuk duhet ta kalojë. Historia do ta mbajë mend këtë tradhti dhe populli shqiptar nuk do ta falë. Kërkojmë dorëheqjen e tij të menjëhershme nga posti i Kryetarit të Kuvendit.  Ai do të mbetet turpi i popullit tonë, i historisë sonë”, tha Arbana Pasholli. 

Kjo deklaratë e Kryeparlamentarit Gashi erdhi në kohën kur Gjuha Shqipe kontestohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në mars 2025 do të mbajë seancë përgatitore dhe do të konsultohet me ekspertët para se të debatohen nismat që kontestojnë këtë Ligj.

Në seancën e 11 dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese nuk morën pjesë gjykatësit shqiptar, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Në këtë periudhë, Fronti Evropian, aktivizoi nismën “Roja e Gjuhës” ku për disa ditë, në shenjë proteste, bëri roje para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese.

Klan News