Kryeparlamentarja Elisa Spiropali kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për përdorimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Brenda pak ditësh Gjykata Kushtetuese në vendin fqinj pritet të shprehen lidhur me padinë e bërë për ligjin e Gjuhëve, për të cilën vetë kryetari i Gjykatës ka deklaruar se ka një kaos juridik në të, duke nënkuptuar edhe shfuqizimin e disa neneve që e bëjnë shqipen gjuhë të dytë zyrtare.

Ndaj në vizitën e saj të parë zyrtare në Shkup, Spiropali pas takimit me homologun Afrim Gashi kërkon zyrtarisht që ligji që është në fuqi të zbatohet plotësisht.

“Ne presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht ligji për gjuhët. Gjuha shqipe është e shenjtë dhe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë dhemb shumë dhe cenon identitetin tonë që ne afrojmë në këtë botë të madhe si vlerën tonë njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për ndryshimet e mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që kjo të ketë zgjidhje sipas klimës që dikton marrëveshja kuadër e Ohrit”, tha Spiropali.

Gjate vizitës në Shkup, Spiropali është pritur dhe nga kryeministri Mickoski, por dhe me Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi dhe kryetarin e LSDM, Venko Felipçe.

Tv Klan