Goli i Merino-s në minutën e 119-të i dha fitoren Spanjës në ndeshjen çerekfinale të luajtuar në Shtutgart përballë Gjermanisë.
Ashtu siç kishte deklaruar përpara disa muajsh, Toni Kroos do të varte këpucët në gozhdë pas përfundimit të këtij turneu duke e mbyllur karrierën e suksesshme si futbollist.
Lojtari më i suksesshëm gjerman i të gjitha kohërave (përfshirë kampionin e botës, gjashtë fitore në Ligën e Kampionëve, tituj kampion në Gjermani dhe në Spanjë) e mbyll karrierën me disfatën e Gjermanisë.
Kroos i zhgënjyer pas ndeshjes për median gjermane ARD: Ishte një lojë ku të gjithë vendosëm gjithçka në të. Ishim shumë afër. Kjo e bën atë humbje edhe më të hidhur.
I pyetur për zhgënjimin që karriera e tij përfundoi kështu, Kroos tha: Për momentin, zhgënjimi prej daljes nga turneu e tejkalon zhgënjimin personal. Të gjithë së bashku kishim një synim të madh. Kjo ëndërr tashmë është shkatërruar deri diku. Edhe pse kemi luajtur një turne të mirë.
Në fund të intervistës, Kroos thotë: Ne të gjithë mund të jemi krenarë. Jam i lumtur nëse mund të ndihmoj sadopak që ta kemi sërish këtë pretendim për përfaqësuesen./tvklan.al