Eksperienca e dytë në Kampionatin Europian nuk ka rezultuar trampolinë për kombëtaren shqiptare në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë kanë ngecur në vendin e 66-të në Botë, madje duke humbur pikë.
Edhe pse duke koleksionuar një barazim kundër Kroacisë dhe dy humbjet ndaj kundërshtarëve më të fortë në letër si Italia e Spanja, kombëtarja e Sylvinho nuk ka pësuar ndryshim në renditje për të qEnë sërish në pozicionin e një muaji më parë.
Kampionia e kurorëzuar e Europës, Spanja ka bërë kapërcimin më të madh në renditje. Iberikët kanë përmirësuar 5 pozicione falë edhe suksesit në Gjermani për tu renditur tashmë të tretët në Botë, duke fituar 105 pikë nga 7 fitoret në Euro2024. Finalisti tjetër i Europianit, Anglia ka fituar 1 pozicion për të lënë pas Brazilinin që zhgënjeu në Kupën e Amerikës.
Pikërisht suksesi në këtë kompeticion ndihmon Argjentinën që të blindojë vendin e parë në Botë. Kampionët e Botës dhe Amerikës tashmë thellojnë distancat me Francën që mbetet e dyta.
Zbritje me 3 pozicione për Belgjikën që zhgënjeu në Europian, teksa në vendnumëro qëndron Holanda e cila edhe pse luajti në gjysmëfinale nuk arriti të përmirësohet në renditjen e FIFA-s duke mbetur e 7-ta. Edhe Italia qëndron në të njëjtin vend, kjo ndikuar edhe nga ajo që dhuroi në Euro2024, me skuadrën e Spalettit që mbyll 10 pozitat e para.
Gjermania ngjitet e 13-ta, ndërsa kapërcim galopand për Turqinë me 16 pozicione. Ukraina, rivali i radhës i Shqipërisë në Ligën e Kombeve gjendet e 25-ta, ndërsa Gjeorgjia, kundërshtari i 10 shtatorit i kuqezinjve qëndron e 70-ta. Kosova ka rrëshkitur sërish në renditje kjo edhe për shkak të mungesës së ndeshjeve dhe tani ndodhet e 106-ta në Botë.
Klan News