Ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku dha një intervistë për gazetarin Besard Jacaj këtë të Hënë në Klan News. Fillimisht ai u ndal te ligji i ri për bashkëpronësinë që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por edhe fuqizon rolin e administratorit në objekte të tilla.


“Kemi pasur një ligj të vitit 1998, që nuk përputhet me situatën aktuale të vendit. Një pjesë e mirë e njerëzve jetojnë në pallate, që kanë nevojë për mirëmbajtje, është e nevojshme që të kemi rregulla të reja dhe ndarje të qartë të roleve. Roli që ka bashkia, banorët, kryesia, administratori i objektit. Së pari bashkitë do kenë një libër të bashkëpronësisë, si një regjistër me të dhënat si është ndërtuar objekti, ka ashensor, ka asamble, ka depo uji. Një seri të dhënash për çdo objekt.

Forcojmë rolin e Bashkisë si aktor inspektues dhe së treti si ndërmjetësues kur ka probleme mes bashkëpronarëve deri në një vlerë të caktuar. Do ketë një këshill në çdo bashki për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ndërrojmë rrënjësisht rolin e administratorit, së pari të regjistrohet si një person juridik pranë organeve tatimore, duke marrë numër nipti në mënyrë që faturat që ai lëshon të jenë fiskale. Kjo nuk do rrisë bazë fiskale për administratorin, por do formalizojë faturat dhe do rrisë fuqinë e tij për të marrë pagesat.”

Po çfarë ndodh me ata banorë që për arsye të ndryshme nuk e kanë parë të udhës të caktojnë një administrator? E detyron ligji i ri?

Ligji detyron çdo pronë që ka më shumë se 4 apo 5 njësi bashkëpronësie të ketë një administrator të regjistruar pranë njësive respektive. Nuk ka detyrime financiare, mund të jetë një nga banorët, por është personi i kontaktit dhe komunikimit pasuar me një seri detyrash. Nëse nuk e caktojnë vetë, detyrohet ta bëjë bashkia”, tha ministri.

Tanimë, thekson Mazniku, admninistratori do të ketë mekanizmat e duhur ligjorë që të ushtrojë detyrën e tij.

“Ligji cakton përgjegjësi për administratorin dhe personin që bën dëm. Ai duhet të mbledhë të ardhurat kur është krijuar një dëm i tillë, me dashje ose padashje.”

Ai shtoi se shpërndarja e grantit bëhet në bazë të numrit të popullsisë, por asnjë bashki nuk do marrë më pak buxhet se një vit më parë.

E.D/tvklan.al