Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe dërgoi në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla e Mariglen Qato, për dyshimet se janë përfshirë në korrupsion e pastrim parash.
Në gjyq u dërgua edhe Taulant Tusha, një tjetër ish-drejtor i Bashkisë, që bashkë me 4 ish-zyrtarë akuzohen për shkelje të barazisë në tendera.
SPAK thotë se ka konfirmuar që Molla dhe Qato, teksa mbanin drejtimin e “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a apo IMT kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Kjo kompani nga viti 2016 deri në 2020 ka përfituar 12 tendera nga UKT, nga Bashkia e Tiranës, “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a.
Sipas SPAK, në procedurat e tenderimit, ku kompania është shpallur fituese, është favorizuar nga ish-zyrtarët e tjerë të dërguar po ashtu në gjyq.
Më herët me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës janë vënë në sekuestro kompania “5D”, pasuri që sipas prokurorisë ishte në pronësi të Redi Mollës dhe Mariglen Qatos dhe aksionet në dy shoqëri të tjera private që janë gjetur lidhje me ish-zyrtarët.
Për të njëjtën dosje, por të ndarë më vete, janë nën hetim edhe 9 ish-zyrtarë të Bashkisë.
Tv Klan