Gazetari Elvi Fundo thotë se prej kohësh Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk firmoste vetë, por këtë detyrë e kishte marrë Arbjan Mazniku, tashmë Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Fundo thotë se mbase pas Veliajt, radhën për t’u arrestuar do të ketë Ministri Mazniku teksa shton se dosja hetimore për kreun e Bashkisë Tiranë është një “Gërdec” i madh.

Elvi Fundo: Ne sot kemi, sipas SPAK-ut, rreth 1 milionë Dollarë blerje, rreth 1 milionë Dollarë të tjera të bllokuara Ajolës në bankë dhe një vilë që pretendohet në Qerret që vlera e saj është rreth 500 mijë Dollarë. Pa folur këtu për shumën rreth 115 mijë Eurosh që është e ndarë në 95 mijë Euro shumica në pako 500-she dhe 14 mijë Dollarë dhe rreth 6 milionë e gjysëm Lekë. Gjithashtu, po të shikojmë dokumentat ku thuhet se Veliaj ka kryer veprime konkrete dhe çështja nuk është thjesht tek lejet e ndërtimit.

Prej shumë kohësh, Veliaj nuk firmoste vetë, por firmoste një ministër i Ramës, Arbjan Mazniku, i cili është nën hetim dhe SPAK ka sekuestruar shumë dosje dhe po heton dhe për firmat e Maznikut. Ndoshta pas Veliajt, radhën atje me kolegët mund ta ketë edhe ministri i radhës i Ramës. Hetimet janë të thelluara. Dosja është një Gërdec i madh. Në dijeninë time, unë kam parë një vullnet të madh për t’u përshëndetur prokurorëve. Ky është një hetim i fortë dhe shumë i kopsitur. Ne po flasim për blerje 1 milionë Dollarë dhe kemi një vilë në mes të Bllokut që e ka shoqëria “Harabel” që është pa qira. Hetimet vazhdojnë, do të ketë fakte dhe prova të reja.

/tvklan.al