Taksitë 8+1 të rretheve që kryejnë transport udhëtarësh drejt Tiranës, vazhdojnë të marrin pasagjerë në kryeqytet, në kundërshtim me licencën që disponojnë, por jo vetëm kaq.

Drejtuesit e këtyre mjeteve lëvizin për orë të tëra në të njëjtin itinerar në kërkim të pasagjerëve, madje edhe duke bërë ndalesa vend e pavend, pa asnjë lloj hezitimi.

Pasojat, trafik, rrezik për aksidente, nervozizëm të drejtuesve të automjeteve. Kjo është zona e rrugës së Elbasanit. Më problematikja për sa i përket këtij fenomeni.

Perimetri i përzgjedhur nga furgonët, taksitë e Elbasanit apo Korçës, për të gjetur pasagjerët e tyre shtrihet nga ambasada amerikane, stadiumi Qemal Stafa, Radiotelevizioni Publik e deri tek Unaza bri Lanës.

Ndalesat bëhen kur ta shohë drejtuesi i furgonit të arsyeshme. Mund të hypësh e të zbresësh vetëm duke i bërë një shenjë shoferit. Dhe kjo ndodh përditë, për më tepër në prani të policisë rrugore.

Premtimi për ta evituar këtë fenomen është bërë nga mjaft drejtues të policisë rrugore, por asnjëherë nuk është zgjidhur.

Ndërhyrjet sporadike nuk kanë dhënë efekt. Drejtuesit e policisë rrugore thonë se gjobat që shoferët e këtyre dy linjave kanë marrë shpesh e tejkalojnë edhe vlerën e licencës, por përsëri nuk ndërgjegjësohen.

Në bazë të licencës që këta mjete disponojnë, ata kanë të drejtë të hyjnë në kryeqytet vetëm për të lënë pasagjerët që sjellin nga rrethet e tyre, por kurrsesi të marrin të tjerë nga Tirana./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami