Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Eduard Selami i kërkon Lulzim Bashës që të bëjë debat të hapur në media për garën brenda demokratëve.

Në një status në Facebook, Selami shkruan se Lulzim Basha i kishte premtuar që debatet mes tyre të bëheshin të hapura, që gjë nuk ka ndodhur sipas tij.

Kandidati për kreun e demokratëve ka kërkuar gjithashtu që të bëhen publike listat e anëtarëve të Partisë Demokratike që do të votojnë.

Statusi i Eduard Selamit në Facebook:

 Të dashur miq.

Gara për kryetar të Partisë Demokratike është në kulmin e saj. Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë këtë periudhë.

E kam thënë më parë se kjo garë është e pabarabartë nga ana strukturore por është tërësisht e fitueshme.

Unë dua që PD t’i kthehet edhe njëherë vlerave demokratike dhe perëndimore të saj.

Për këtë, i kërkoj zotit Basha të mbajë premtimin që më ka bërë se debatet mes nesh do të bëhen të hapura për mediat dhe për publikun. Kjo nuk ndodhi në debatin e Korçës.

Së dyti, i kërkoj të bëjë publike listën e anëtarëve të partisë demokratike të cilët do të votojnë. Nuk ka asnjë arsye që këto lista të mbahen të fshehta, ne nuk jemi parti e jashtëligjshme. Duhet transparencë. Anëtarët e PD janë krenarë që janë demokratë dhe nuk kanë frikë që të fshehin anëtarësinë ndaj hape partinë zoti Basha!

Së bashku do ta fitojmë këtë garë dhe do dalim më të fortë. /

tvklan.al