Dy rivalët në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduart Selami do t’i shohim jo vetëm në fushata të ndara, por edhe bashkë gjatë prezantimit të platformave të tyre përpara anëtarësisë.
Vendimi u mor në mbledhjen e parë të komisionit për zgjedhjet në selinë blu, ku krahas 7 anëtarëve të pranishëm ishin edhe kryetari me funksione të ngrira Lulzim Basha dhe kandidati e rivali Eduart Selami.
Jemin Gjana, në cilësinë e kryetarit të komisionit për zgjedhjet në PD pas mbledhjes që zgjati për më shumë se dy orë tha se u vendos që pjesë e votimeve do të jenë të gjithë ata anëtarë, të cilët kanë një teserë partie edhe pse nuk figurojnë në regjistrin elektronik të anëtarësisë së partisë.
“Lista do përmbajë edhe emrin e çdo anëtari të PD që disponon një teser partie nder vite, por që për arsye teknike nuk është në regjistrin e përditësuar. Këta antarë deri në 12 korrik duhet të paraqiten pranë degëve të PD me dokumentin që disponojnë nga viti 91 e ne vijim dhe degët do administrojnë një fotokopje të dokumentit për këta anëtarë…
”
Një ditë më parë, në mbledhjen e kryesisë se Partisë Demokratike, grupi për mbrojtjen e statutit kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve dhe bërjen e analizës për humbjen e thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Por 11 votat e tyre u rrezuan nga 13 vota të mbështetësve të Bashës.
/Tv Klan