Spitaleve në veri të Gazës po u mbarojnë ilacet dhe ushqimet. Zyrtarët palestinezë shëndetësorë bënë thirrje për një korridor humanitar në tre spitale ku mjekët kanë refuzuar të lënë pacientët e tyre pavarësisht urdhrave të evakuimit të lëshuara nga ushtria izraelite.
Gjendja e rëndë ka alarmuar mbarë botën, me Shtetet e Bashkuara që kanë lëshuar një nga paralajmërimet më të forta ndaj Izraelit se duhet të përmirësojë situatën ose të përballet me një embargo armësh. Pas presionit të Uashingtonit ushtria izraelite lejoi që 50 kamionë me ndihma të hynin në veri të Gazës.
Britania e Madhe dhe Franca kanë thirrur një takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të diskutuar situatën humanitare në Gaza.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha në një deklaratë se Izraeli duhet të sigurojë që civilët të mbrohen dhe rrugët të jenë të hapura për të lejuar kalimin e ndihmave humanitare.
Palestinezët e zhvendosur nga konflikti po përballen me mungesa në ushqime.
“Unë pres një katastrofë shumë të madhe, dua të them, të një lloji të veçantë. Pse? Sepse shumica e të rriturve dhe fëmijëve do të vdesin nga uria. Dhe hebrenjtë po e bëjnë këtë qëllimisht. Ata po e bëjnë këtë rrethim për të vrarë popullin në një mënyrë ose në një tjetër. Jo nga sulmet por nga uria. Qëllimi është poshtërimi i popullit palestinez.”
Ndërkohë Londra po planifikon vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit izraelit të financave Bezalel Smotrich dhe ministrit të sigurisë kombëtare Itamar Ben-Gvir mbi komentet që ata kanë bërë në lidhje me konfliktin.
Klan News