“Përgjime të tjera pritet të dalin në vijim lidhur me vjedhjen e votës në zgjedhjet e vitit 2017, duke përfshirë dhe qytete të tjera, jo vetëm Durrësin”. Kështu deklaroi nga studio e emisionit “ Opinion” në Tv Klan, gazetari Basir Çollaku i ftuar për të diskutuar lidhur me 6 përgjimet e publikuara këtë të mërkurë nga gazeta gjermane “Bild”, regjistrime audio të “Dosjes 339/1”, pjesë e së cilës është grupi i Avdylajve të Shijakut. Në 6 përgjime audio të publikuara online dëgjohet Astrit Avdylaj, që sipas “Bild”, mbledh vota në favor të kandidatit të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit, Ilir Ndrazhi përpara zgjedhjeve të 2017-s.
Gazetari deklaroi se në përgjimet e tjera janë përfshirë dhe zyrtarë më të lartë se kaq, pa dashur të japë detaje të tjera.
Blendi Fevziu: Basir ti e ke shoqëruar gazetarin e “Bild” Peter, a ka akoma materiale të tjera?
Basir Çollaku: Unë kam qëndruar afro dy ditë më Peter dhe them se ka materiale të tjera dhe jam konsultuar me të, dhe kam takuar shumë njerëz, janë edhe më të rënda se kaq.
Blendi Fevziu: Janë në të njëjtën dosje?
Basir Çollaku: Ai ka qenë në të gjithë Shqipërinë duke u marrë dhe me hetimin e krimit elektoral dhe trafikun e drogës dhe me abuzime të tjera të rënda që kryqëzojnë edhe trafikun e drogës dhe krimin elektoral. Të paktën janë çekuar, kemi Durrësi, Kukësi, Shkodra, Lezha, Hasi, Dibra.
Blendi Fevziu: Çfarë materiali ka?
Basir Çollaku: Ka materiale që janë zyrtare, që vijnë në institucionet shqiptare edhe për dosje të tjera që kanë probleme me politikën dhe me rëndësi më të madhe politike dhe kriminale.
Blendi Fezviu: Implikojnë persona më të rëndësishëm sesa niveli i Dakos…?
Basir Çollaku: Nuk dua ta cënoj punën e Peter, por them se po, dhe nuk e kam mendim por informacion./tvklan.al