Të ftuar:
Mustafa Nano – Gazetar
Artan Hoxha – Gazetar
Klodiana Lala – Gazetare
Saimir Tahiri – Ish Ministër i Brendshëm
Mark Marku – Analist
Basir Çollaku – Gazetar
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është rikthyer pas 1 viti në studion e “Opinion”, në Televizionin Klan.
Pas një heshtje të gjatë dhe mungese në studiot televizive, pavarësisht se emri i tij ka qenë pjesë e lajmeve gjatë të gjithë vitit, Tahiri tha se sot do të ishte në burg, ndonëse pa asnjë provë, nëse Parlamenti nuk do të votonte kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e tij.
“E vërteta nuk e bën xhiron e gënjeshtrës…Dhe as me shpejtësinë me të cilën vrapon gënjeshtra, por unë kam besuar se sidoqoftë e vërteta shkon tek veshi i njerëzve edhe sikur të mos duan, edhe sikur të vonohet nuk ka rëndësi. Ju kujtoj që në mos ndodhte që parlamenti të mos miratonte kërkesën për arrestim, unë deri sot do të isha në burg pa asnjë diskutim, do të isha në burg, pavarësisht se pa asnjë fakt, pa asnjë provë, unë do të isha në burg”, tha Tahiri.
I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se donte vetëm të vërtetën, e para kësaj nuk vinte asgjë tjetër.
I rikthyer në këtë emision pas më shumë se një viti, duke iu përgjigjur pyetjes së Fevziut, për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PS, Tahiri tha se do të preferonte të dënohej, sesa të pranonte kushte, qoftë edhe nga partia.
Saimir Tahiri: Hetimet kanë nisur më shumë se një vit më parë. Gjatë kësaj kohe shumë ujë ka rrjedhur, unë kam qenë në mënyrë konstante në vëmendjen e të gjithë atyre që sa herë përmendej çdo histori tjetër lidhur me krimin, emri im ishte gjithmonë aty. I vetmi që ka heshtur jam unë dhe nuk e kam bërë pa shkak, se dija dhe unë të bëja atë që kanë bërë të gjithë të tjerët para meje, sa herë janë vënë në akuza nga politika apo prokuroria. Por kam heshtur sepse kam menduar që nuk duhet të përfitoja në asnjë mënyrë nga pushteti që në një mënyrë apo në një tjetër e kam pasur për shkak të detyrës që kam ushtruar apo për shkak të ngarkesës politike që kam pasur. Kam heshtur, duke mos u marrë me prokurorinë dhe aq më pak me njerëzit që kanë përmendur emrin tim.
Blendi Fevziu: Të gjithë ata që kanë bërë atë që thoni, kanë kundër reaguar e sulmuar, kanë patur mbështetjen e partisë, i kanë patur krahët… Ndërkohë që partia juve ju lëshoi, ju nxorri jashtë, me shumë stil ju përjashtoi nga grupi parlamentar dhe ju la të notonit apo të lundronit i vetëm. I vetëm nuk është shumë kollaj t’iu përgjigjesh këtyre.
Saimir Tahiri: Termi që partia të lëshoi mua as më ngroh dhe as më ftoh. As që e dua partinë për të vërtetën time. Ndoshta juve ju duket si batutë për ta thënë në televizor, por unë e thashë edhe në fjalim që do preferoja dënimin, sesa lirimin me kusht. Qoftë dhe kushtet nga partia, në të cilën unë kam shërbyer dhe angazhuar bashkë me shumë të tjerë. Dhe këtë e them sepse unë nuk besoj që një drejtësi është e plotë, në rastet kur kjo afektohet nga pushteti apo marrëdhëniet të cilitdo lloj.
“E thashë pse kam heshtur sepse ka një motiv dhe për t’iu shpjeguar që nuk ka asnjë mllef në atë që thashë sot. Por edhe nëse do të kisha mllef, do të isha i justifikuar. Por nuk kam mllef, kam vetëm arsye”, tha Tahiri.
Në mesin e personave të akuzuar si bashkëpunëtor me grupin e Habilajve, e që vijon të jetë ende në kërkim është edhe ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Pikërisht për këtë të fundit, i ftuar këtë të enjte në “Opinion”, Saimir Tahiri tha se besonte që ai ishte i pafajshëm, megjithatë nuk duhet të ishte larguar dhe duhet të ishte përballur me drejtësinë.
Blendi Fevziu: Që nga nëntori i vitit 2017 janë në kërkim Jaeld Çela, ish-drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, Sokol Bode, ish-shef i Postës Kufitarë Dhërmi dhe Gjergj Kohila, ish-shef i Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Vlorës. Të gjithë vartësit e tu kryesor të Vlorës janë në kërkim.
Saimir Tahiri: Unë njoh vetëm ish-drejtorin e qarkut, dy të tjerët s’i njoh fare. Sigurisht do të preferoja që askush të mos i ikte drejtësisë dhe nuk do të preferoja kurrë që të ishin në kërkim. Kanë qenë drejtues të policisë, i pari se dy të tjerët nuk quhen drejtues të policisë.
Blendi Fevziu: Ajo është piramidë pastaj, se ai emëron të tjerët.
Saimir Tahiri: Unë kam shpresuar që ai të sillej si qytetar. Ka qenë drejtues dhe duhet të shkonte të përballej me drejtësinë, edhe në qoftë se drejtësia ia ka futur kot. Ka punuar me mua si të gjithë drejtorët në Policinë e Shtetit. Unë besoj që është i pafajshëm. Në qoftë se ka prova prokuroria për fajësinë e tij, do të më vijë shumë keq se ka abuzuar me besimin tim.
Blendi Fevziu: Ju e besoni që është i pafajshëm. Ai vetë e quan veten të fajshëm kur largohet, se një i pafajshëm rri dhe thotë që jam gati të përballem me drejtësinë.
Saimir Tahiri: Unë po të them mendimin tim, se çfarë mendon ai dhe ti është tjetër gjë. Unë po të them se ka punuar me mua si shumë bashkëpunëtorë të tjerë, prirem të besoj që është i pafajshëm.
Blendi Fevziu: Pse duhet të mendojmë ne që ka abuzuar me besimin tënd dhe të mos mendojmë që ai ka qenë në bashkëpunim me ty në atë rast. Prokuroria ka shumë të drejtë ta mendojë këtë gjë.
Saimir Tahiri: Pa diskutim ta hetojë. Unë nuk po them që prokuroria shqiptare nuk duhet të hetojë, përkundrazi. Mos harro që pas ngjarjeve të vitit 1997, ku 7 prokurorë hetonin 3 mijë vrasjet e ngjarjeve të këtij viti. Mesa di unë, jam çështja e dytë, ku angazhohen 7 prokurorë për të hetuar një çështje. Unë them mos i mbani 7, por bëjini 70 prokurorë, vetëm jepni drejtësi. Hetojini në maksimum, por ju lutem ktheni një përgjigje. Se me zvarritje kjo nuk ka kuptim.
Prezenca e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në emisionin “Opinion” mbrëmjen e së enjtes është shoqëruar me debate të ashpra edhe në mesin e gazetarëve të vënë përballë tij.
Shkak për këtë u bë komenti i analistit Mustafa Nano, i cili vlerësoi kurajën e Tahirit për t’u vënë përballë “3 (personave) që i ka armiq dhe 3 që nuk i ka miq.”
Mustafa Nano: Bravo i qoftë Saimir Tahirit që ka pranuar të vijë në një studio ku ka 6 persona, 3 i ka armiq, 3 nuk i ka miq. Kjo është kurajë.
Basir Çollaku: Kë ka armiq?
Mustafa Nano: Po kë ka armiq tani…
Basir Çollaku: Kë ka armiq?
Mustafa Nano: Po ty o të ka armik, siç më kanë mua armik ata të palë tjetër.
Klodiana Lala: Ne folëm para emisionit, nuk jemi armiq. Ne kemi bashkëpunuar për 4 vite, apo jo?
Blendi Fevziu: Ata janë gazetarë, duhet t’i bëjnë pyetjet, gjëja më normale.
Mustafa Nano: Dëgjo Fevzi se këtë hipokrizinë…Prit, prit.
Basir Çollaku: Jo nuk pres fare, kë quan armik? Ç’i ke këto broçkulla.
Mustafa Nano: O Basir, ti je në këtë studio përballë meje.
Basir Çollaku: E pastaj?…Përdor etikën se je mësuar të humbasësh etikën ti.
Mustafa Nano: Dëgjo, O Fevzi dëgjo se këtë hipokrizinë e jetës publike shqiptare nuk e duroj dot. Këtu nuk thotë njeri se për kë voton. I vetmi që bredh nëpër studio dhe e thotë këtë jam unë. Mua po të më sjellësh përballë Sali Berishën, unë jam armik i tij. Merre si metaforë.
Mustafa Nano: Lala, Lala dëgjo. Pjesa më e ulët e kurbës sime televizive është kur jam përballë teje dhe Basirit.
Basir Çollaku: Po më të lartën kur e ke? Po lëre…
Mustafa Nano: Tani Fevzi unë do të kërkoja një gjë, sepse unë nuk kam përse flas me këta këtu. Mundësisht, këto regjistra të ndahen. Sepse nuk e di se çfarë pune kam unë me Basirin dhe Klodin.
Klodiana Lala: Zoti Nano më duket se jeni analist dhe moderator, nuk besoj se e bëni ende gazetarin e terrenit apo jo.
Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kundërshtuar ashpër deklaratat e pasardhësit të tij në detyrë, Fatmir Xhafaj, sipas të cilit në Shqipëri operojnë 40 banda dhe 16 familje mafioze.
Saimir Tahiri: Unë jua them me bindje, kam mbajtur 4 vjet atë detyrë, jam shastisur kur kam dëgjuar këto, edhe ambasadorë, edhe zyrtarë të shtetit, edhe pasardhësin tim po të doni, që flasin me Shqipërinë me familje kriminale, me banda e… Unë jua them me përgjegjësi të plotë, Shqipëria nuk ka banda.
Klodiana Lala: E ka thënë pasardhësi juaj, Z. Tahiri.
Saimir Tahiri: Nuk më intereson, le ta thotë pasardhësi, ai ka mendimin e tij. Shqipëria nuk ka banda, ka kriminelë si çdo vend, ka më pak se çdo vend tjetër. Por këtu po fryhet qëllimisht dhe po bëhet një histori e qëllimshme për t’i terrorizuar njerëzit. Të kishte bursë…shyqyr që nuk ka bursë, do kishte rënë bursa. Jua them me përgjegjësi, Shqipëria nuk ka banda. Besoj këto i di më mirë se ju. Ata janë ca rrugaçë.
Blendi Fevziu: Vetë ministri i Brendshëm tha që ka 40 banda dhe 16 familje mafioze dhe ti thua është përrallë.
Saimir Tahiri: Nuk më duhet çfarë thotë ministri i brendshëm që ishte në detyrë. Shqipëria ka kriminalitet si çdo vend tjetër, vetëm ne i nxjerrim sytë vetes. Ka Greqia më shumë kriminalë, ka Italia më shumë kriminelë, ka Spanja, ka Londra më shumë kriminelë se Tirana, por nuk ka asnjë njeri si ju që i nxirrni sytë Shqipërisë dhe e baltosni në këtë farë feje.
Blendi Fevziu: Atë shko zgjidhe me Ministrin e Brendshëm.
Saimir Tahiri: Po s’më intereson mo, ta zgjidh fare, s’më duhet fare… Unë po ju them ky është terror i padrejtë mbi qytetarët.
I pyetur se cila është marrëdhënia e tij me Kryeministrin Edi Rama, Saimir Tahiri tha se ka kohë që mes tyre nuk ka më marrëdhënie.
Megjithatë, ish-ministri u shpreh se e kishte njoftuar kreun e qeverisë për dosjen e mbërritur nga Italia për të.
Blendi Fevziu: Si i ke marrëdhëniet me Ramën?
Saimir Tahiri: “Unë e shoh të parëndësishme (pyetjen) për çështjen që jam në hetim dhe kam ardhur të përgjigjem. Me kryeministrin ka kohë që nuk kam marrëdhënie, por kam bërë detyrimin tim dhe e kam njoftuar për vendimin e ardhur nga drejtësia italiane”
Ndërsa zërave se ishte rrahur më shumë se një muaj më parë, deklaratë e bërë edhe nga kreu i PD, Lulzim Basha në studion e “Opinion”, Tahiri u përgjigj në këtë mënyrë.
Blendi Fevziu: A është e vërtetë që së fundmi ju kanë rrahur pak?
Saimir Tahiri: Po nga kush? Shumë banale kjo Fevzi. Kjo është përgjigjia ime, shumë banale.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri thotë se në deklaratën e tij për mediat nuk kishte mesazhe të koduara. I ftuar në emisionin “Opinion” tha se deklarata e tij nuk ishte sulm ndaj prokurorisë për sa kohë është nën hetim.
Ai u shpreh se prokuroria shqiptare nuk e ka thirrur asnjëherë për ta pyetur edhe pse po e heton prej një viti dhe ka shtyrë afatet disa herë.
Ish-ministri kërkoi nga organi i akuzës që të kryejë të gjitha hetimet që dëshiron, por të mos e zvarrisë procesin.
Tahiri këmbënguli se prokurorët italianë kanë bërë hetime të thelluara për përgjimet e Habilajve dhe nuk kanë gjetur asnjë provë që t’i lidhte me aktivitetin e tyre.
I pyetur nga gazetarët në studio, Tahiri nuk bëri komente për deklaratat e pasardhësit të tij në detyrë, Fatmir Xhafaj për situatën e kultivimit të kanabisit.
Saimir Tahiri, i rikthyer pas një viti në studion e “Opinion”, u përball me disa pyetje, si nga drejtuesi i emisionit, ashtu edhe nga paneli i gazetarëve që ndodhej përballë tij.
Një ndër to, ishte edhe pyetja e Blendi Fevziut, nëse ishte e vërtetë se ishte rrahur më shumë se një muaj më parë, deklaratë e bërë edhe nga kreu i PD, Lulzim Basha në studion e “Opinion”.
Blendi Fevziu: A është e vërtetë që së fundmi ju kanë rrahur pak?
Saimir Tahiri: Po nga kush? Shumë banale kjo Fevzi. Kjo është përgjigjia ime, shumë banale.
***********************************
Dita kombetare e aktivizimit!