Mëngjesin e kësaj të mërkure në studion e “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte e ftuar psikologia Arjana Rreli. Ajo u ndal në sëmundjet e shëndetit mendor, kryesisht tek të rinjtë. Ndër sëmundjet kryesore ajo përmendi stresin, ankthin dhe atakun e panikut.
“Urgjencat janë pothuajse të mbushura plot”, tha ajo duke shtuar se rinia është më e prekur nga këto sëmundje të shëndetit mendor.
“Ne po e shohim shumë frekuent ankthin tek rinia. Rinia tani është me e shënjestruara e ankthit. Është ky brezi që ka harruar se si bëhet jeta e shëndetshme. Ky brezi që bën qejf natën, pinë e argalisen minimumi me alkool. Flas më shumë për këta të rinjtë, sepse vijnë më tepër tani për shkak të ankthit. Ankthi është kryesori. Por, ky ankthi mblidhet e mblidhet e më pas shpërthen në një gjendje që është shumë më disfunksionuese për personin. Kemi atakun e panikut që mund të çojë në një alarm. Është shumë i shpeshtë dhe jo më kot urgjencat janë pothuajse plot me këto atakë paniku që nuk i lënë radhë atakut kardiak të vërtetë.”
Arjana Rreli tha për publikun se ankthi i grumbulluar që shumica prej nesh e injoron kthehet në një atak paniku.
“Ankthi i mbledhur kthehet në atak paniku që është ritëm shumë i lartë i zemrës, djersë, dhimbje të forta që imitojnë atakun kardiak, të duket sikur po vdes.”
Psikologia shtoi se në fazat e para si çdo sëmundje tjetër dhe ankthi mund të kurohet. Ajo tregon disa nga mënyrat që secili prej nesh i ka vetë në dorë për të rregulluar gjendjen e tij emocionale e atë mendore.
“Ankthi në fazat e para si çdo sëmundje në fakt, mund të parandalohet ose mund të trajtohet, por kur ka shenja minimale. Zakonisht nuk konsiderohen këto shenjat minimale, por trajtohen si diçka që kalon. Pa dyshim që kafeina është një nga shkaktarët dhe stimuluesit e mëdhenj. Kjo varet se sa i varur është personi ndaj kafeinës dhe se sa të lartë e ka nivelin e adrenalinës. Një gjendje ankthi përgjithësisht kurohet kur ka një gjendje të mirë të popullatës, një pseudoedukim, që në fillim merr këto masa që çdo individ i ka në dorë. Nëse nuk bën aktivitet fizik e fillon, redukton përdorimin e simulantëve si alkooli dhe lëndët narkotike. Nëse do të investosh për shëndetin është momenti.”/tvklan.al