Këtë të martë të ftuarit në studion e “Shije Shtëpie” folën për një temë që lidhet kryesisht me paraqitjen e jashtme dhe konceptin e së bukurës. Disa bukurinë e kanë prioritet dhe bëjnë çdo gjë për të qenë të përsosur deri në fund të jetës. Disa të tjerë kanë lindur të tillë dhe nuk e kanë të nevojshme të lëvizin as “gishtin e vogël” të dorës për të ndryshuar diçka.

Nga ana tjetër është një kategori personash që kujdesin për veten dhe bukurinë e tyre e kanë pjesë të profesionit. Por, duhet të tregohemi të sinqertë dhe objektivë sa i takon faktit që njerëzit e bukur janë më të favorizuar kur bëhet fjalë për punën e karrierën.

Pikërisht duke u përqendruar tek ky aspekt, pedagogia Valbona Nathanaili e tha qartë që njerëzit e bukur kanë përparësi, ndryshe nga pjesa tjetër që janë më të privuar për shkak të bukurisë, apo mosperfeksionit në pamjen fizike.

“Unë jam dakord me faktin që bukuria fizike është një start i mirë. Një pamje e bukur, disa tipare të bukura e të veçanta patjetër që të ndihmojë ta nisësh atje kur të tjerët nuk e kanë këtë përparësi. Për mua është përparësi patjetër ana fizike dhe është e kotë ta mohojmë. Në rastin e regjisorit varet se çfarë roli ka dhe ai ka padyshim standardin e vet të bukurisë, në bazë të të cilit do të vlerësojë për rolin që ka. Kjo njihet në fakt në psikologji që ne bëjmë paragjykim për njerëzit e bukur. Dhe përgjithësisht paragjykimi që bëjmë është që të jesh i bukur do jesh edhe intelektual, ose fiziku i bukur do të thotë që dhe sportiv. Janë shumë gjëra që ne asociojmë me bukurinë. Në psikologji kjo njihet si efekti ‘Halo’ që do të thotë që njerëzit e bukur kanë një lloj drite që shkëlqen le të themi. Njerëzit, nisur nga kjo lloj bukurie fizike, i shoqërojnë dhe shumë karakteristika të tjera që kanë lidhje me personalitetin, të cilat ndoshta i ka apo nuk i ka. Ama starti është ky! Gabimi konstant, quhet ndryshe, pra paragjykimi që u bëjmë njerëzve. Pastaj më vonë gjithçka për mua është një përpjekje, një vlerë, çfarë rrezaton, çfarë energjie ke, çfarë do të japësh dhe shumë të tjera. Por, sigurisht që ka disa profesione që bukuria dhe pamja fizike vlerësohet shumë”, tha pedagogia./tvklan.al