Gjuha e urrejtjes, dhuna dhe aq më keq krimi kibernetik në rrjetet sociale është shndërruar në një kambanë alarmi për shoqërinë tonë. Rastet e shumta të konflikteve mes adoleshentëve kanë bërë që qeveria shqiptare të marrë masa shtrënguese, siç ishte dhe ndalimi i aplikacionit TikTok.
Kjo temë u diskutua mëngjesin e kësaj të enjteje në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan nga ekspertët. Sociologu Gëzim Tushi tha se duhen marrë në analizë të gjithë faktorët që ndikojnë në agresivitetin e shoqërisë. Krah faktorëve ekonomikë e atyre sociale, ai cilësoi si më kryesorin dhe teknologjinë e rrjetet sociale.
“Fenomeni duhet parë nga dy anë dhe duhet bërë një prerje e faktorëve socialë që ndikojnë në këtë shoqëri neurotike, agresive dhe të mbuluar me një kriminaliteti të ekzagjeruar deri në nivelet që shoqëria sot po përballet me një sindromë të banalizimit të krimit. Pra i kemi sot të gjitha format e krimit në familje, jashtë familjes, në rrugë apo në shkollë, ku të duash. Limfa e krimit është përhapur.”
Duke cituar thënien e një gazetari amerikan “dhuna po demokratizohet”, Gëzim Tushi tha se krimi ka marrë përmasa të mëdha jo vetëm në familje, por dhe jashtë saj duke përfshirë këtu edhe atë në botën “virtuale”. Ai i cilësoi rrjetet sociale si drogë të shekullit të 21 që po sjell krimin virtual.
“Dhunën sot nuk e kemi vetëm tek fëmijët apo adoleshentët, por e kemi dhe tek të moshuarit, gratë e burrat. Pra nga pikëpamja moshore e gjinorë, është një kaos i hapur në shoqërinë e sotme. Në fakt ka një arsye sepse fenomenet sociale e kanë një arsye. Ka një “ideologji” të idesë së njeriut të fortë. Dhe kjo ka sjellë këtë situatë që njerëzit të bëhen agresivë, madje kjo po transmetohet edhe tek fëmijët. Të dyja format e dhunës e të krimit, qoftë ai real, qoftë ai virtual, në fakt kjo e dyta që po ndodh dhe që është dramatike për shoqërinë tonë, është shfaqur ky fenomeni i krimit kibernetik.
Është fenomen tipik i përhapur social për shkak të fenomene siç është hipokrizia dhe transparenca e tepërt dhe shumë arsye të tjera. Por, tek të rinjtë është përhapur më së shumti me lidhjen e të rinjve me rrjetet sociale, me këtë drogë të shekullit 21, që është përhapur kaq shumë dhe që ka kapur të rinjtë, fëmijët e adoleshentët në mënyrë radikale. Është një instrument për të sjellë krimin virtual sepse ndodh që fillojnë ngacmimet, bullizimet për shkak të pamjes së jashtme, mënyrës së të folurit, racës, familjes apo arsyeve të tjera periferike. Ky konflikt që fillon nëpërmjet mënyrës virtuale të rrjetit social apo çështje të rivalitetit erotik mes adoleshentëve.”/tvklan.al