Teksa tema e emisionit “Opinion” në Tv Klan është përqëndruar në vështirësimin e martesave në Shqipëri, gazetari Blendi Fevziu ka kapur në befasi sociologun Gëzim Tushi me pyetjen se si është njohur me gruan.
I ftuar në emision, Tushi ka treguar se ai ka qenë mësues i saj në maturë kur janë njohur teksa ka shtuar se marrëdhënia e tyre ishte delikate duke pasur parasysh dhe raportin mësues-nxënës.
Pavarësisht të gjitha vështirësive, Tushi ka rrëfyer se ata ja kanë dalë dhe vitin tjetër festojnë 50-vjetorin e njohjes me gruan e tij.
Blendi Fevziu: Profesor, si je njohur ti me gruan?
Gëzim Tushi: Uu… pyetje e befasishme kjo. Unë bashkëshorten time e kam njohur kur kam qenë mësues i saj. Unë sapo kisha mbaruar universitetin, isha stazhier dhe ajo ishte maturante. Aty u njohëm dhe krijuam një lidhje shumë delikate sepse marrëdhëniet mësues-nxënës… Unë isha 23 vjeç, kur se ajo ishte 18 vjeç.
Blendi Fevziu: Po nuk ta quajtën “shpërdorim detyre” ty këtë?
Gëzim Tushi: Shpëtova sepse vjehrri im ishte drejtori i shkollës dhe në njëfarë mënyre e rregulluam që ta kapërcenim. Kjo ishte një lidhje e sinqertë dhe po të më thonin ndonjë gjë do të thoja “nuk po bëj ndonjë krim, ne duhemi dhe pikë mbaroi”. Kështu jemi njohur ne dhe vitin që vjen kemi 50 vjet bashkë.
/tvklan.al