Një foshnjë e porsalindur e gjetur në fillim të këtij viti në lindje të Londrës është fëmija i tretë i braktisur nga të njëjtit prindër. Lajmin e ka bërë të ditur prestigjiozja “BBC News”.
Testet e ADN-së të paraqitura në gjykatë vërtetuan se foshnja, të cilën e quajtën “Elsa” është motra e 2 foshnjave të tjera të gjetur në rrethana shumë të ngjashme në vitin 2017 dhe 2019. Pavarësisht apeleve të Policisë Metropolitane, prindërit e tyre akoma nuk janë identifikuar.
Dokumentet e Gjykatës Familjare thanë se Elsa kishte ende kordonin e kërthizës dhe mjekët vlerësojnë se ajo kishte lindur vetëm një orë më parë. Edhe pse ishte shumë e ftohtë kur u gjet, foshnja ishte mirë nga gjendja shëndetësore dhe reagonte.
Gjykatësja Carol Atkinson tha se kjo ngjarje ishte me interes të madh publik pasi foshnjat braktisen shumë rrallë në Britani. Një ekspert tha se sipas tij, gjetjet gjenetike ofruan një vërtetim shkencor se “foshnja Elsa” është motër me 2 foshnja e tjera. Fëmijët e tjerë janë birësuar, ndërsa Elsa është në kujdestari të autoriteteve përkatëse.
Ajo u gjet nga një kalimtar i rastit në muajin Janar në temperatura nën zero, e mbështjellë me një peshqir brenda një qese. Foshnjat e tjera, të quajtur Harry dhe Roman, gjithashtu ishin braktisur pas lindjes në të njëjtën zonë të Londrës. Që të 2 u mbështjellën me batanije, ndërsa njëri prej tyre ishte brenda një çante./tvklan.al