“Ligji i rrugës”, rubrika më e re e programit “Rudina” në Tv Klan që u adresohet problemeve të jetës së përditshme për të cilat nuk ka një ligj të përcaktuar, trajton nëse përbën shkelje kur prindi e lë vetëm fëmijën në shtëpi.

Avokatja Margarita Kola shpjegon se në legjislacionin shqiptar nuk ka një kufizim moshe të përcaktuar, por prindi mbetet përgjegjës në rast se fëmijës i ndodh diçka në mungesë të tij.

Margarita Kola: Ne nuk kemi të përcaktuar në legjislacionin shqiptar moshë dhe kufizim moshor siç e kanë shumë shtete të tjera për ta lënë fëmijën vetëm, por natyrisht fryma e të gjithë legjislacionit, edhe pse nuk kemi kufi moshor kur fëmija mund të lihet vetëm, gjithë fryma e legjislacionit synon ta mbrojë fëmijën. Pra në qoftë se e lë fëmijën vetëm, edhe pse legjislacioni nuk  përcakton moshë, në qoftë se fëmijës i ndodh diçka, atëherë je përgjegjës në bazë të ligjit. Nuk e ka legjislacioni ynë, këtë për arsye mendoj që ligjvënësi ka menduar që ne akoma jemi një shoqëri me rrjet akoma të lidhur që kujdesen gjyshja, gjyshi, tezja, xhaxhai ose kushërinjtë e tjerë për një fëmijë të vogël dhe ne shpesh e kemi bërë në jetën tonë kur kemi qenë të zënë.

Ontario në Kanada, disa lande të Gjermanisë, shtete në SHBA e kanë pragun 12 vjeç, ndërsa Mbretëria e Bashkuar 14. Avokatja paralajmëron prindërit se në rast se fëmija pëson aksident në mungesë të tyre, ligji i ngarkon me përgjegjësi.

Margarita Kola: Ne nuk e kemi një legjislacion të tillë, megjithatë u them të gjithë prindërve që mbani përgjegjësi në forma të tjera pavarësisht se nuk ka përcaktim moshor.

Rudina Magjistari: Cilat përgjegjësi?

Margarita Kola: Në qoftë se e lini fëmijën vetëm dhe fëmijës i ndodh diçka, e zë korrenti larg qoftë ose bie, vritet, patjetër që përgjegjësia shkon te prindi pse e keni lënë vetëm, pse është lënë vetëm, pse ka qenë i mbyllur me çelës etj, ajo do të ishte shmangur. Nuk them që kjo nuk ndodh në prezencë të prindërve por është më e rrallë sepse është syri, përgjegjësia dhe vëmendja e prindit./tvklan.al