Pas dy ditë kërkimesh intensive është gjetur edhe trupi i vajzës tjetër të familjes Arrazi. 8-vjeçarja u gjet rreth 100 m larg nga Ura e Vjetër e Urës së Bunës nga ku Alma Arrazi u hodh së bashku me 3 fëmijët e saj. Trupi i vogëlushes u gjet në një zonë me barishte ndërsa vijojnë kërkimet edhe për nënën 39-vjeçare dhe djalin e mitur 3-vjeçar.
Kërkimet janë shtrirë në të gjithë shtratin e lumit Buna deri në det ndërsa në aksion janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë. Kërkimet po zhvillohen edhe në territorin e Malit të Zi pasi ka dyshime se rrjedha e ujit mund t’i ketë çuar trupat në anën tjetër të kufirit. Në operacion marrin pjesë dhe peshkatarët dhe banorët e zonës.
Peshkatari: Për momentin është e vështirë por çdo gjë do të bëhet, grupet vazhdojnë, kërkimet vazhdojnë. Policia e shtetit është e angazhuar, policia kufitare.
Uniformat blu kanë sekuestruar kamera të sigurisë të bizneseve në zonën e Urës së Vjetër të Bunës, ku Alma Arrazi bashkë me 3 fëmijët u hodhën në lumë. Prokuroria thekson se 39-vjeçarja ka pirë kafe me kunatën, në një lokal në lagjen “Iliria” të Shkodrës.
I ka thënë se do të shkonte te shtëpia e vëllait ku do të qëndronte për një jave që të qetësohej. Rezulton nga kamerat e sigurisë se pasi janë çuar nga lokali, Alma ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te Ura e Vjetër e Bunës.
Prokuroria ka ngritur ndaj Erdgys Arrazit akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes. Në njoftimin për shtyp, organi i akuzës thotë se janë krijuar dyshime të arsyeshme se si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme të shfaqur me ofendime e tradhti, ka shkaktuar vetëvrasjen e bashkëshortes, e cila u hodh në lumë së bashku me 3 fëmijët. Para policisë Erdys Arrazi nuk ka dhënë asnjë shpjegim.
Shumë qytetarë në atë që njihet si dita e luleve, zgjodhën që të hidhnin lule në lumë pranë Urës së Vjetër të Bunës ku Arrazi dhe fëmijët e saj i dhanë fund jetës.
Klan News