Në një kohë kur Shkodra dhe veçanërisht Shiroka pret një numër të lartë turistësh është zhvilluar një aksion pastrimi në lumin Buna dhe në liqenin e qytetit.

Pjesë u bënë përfaqësues të autoriteteve lokale, të agjensisë së zonave të mbrojtura, aktivistë si dhe nxënës të shkollave të qytetit. Aksioni kishte si qëllim edhe ndërgjegjësimin për mosndotjen e mjedisit.

“Këto aktivitete vlejnë për të ndërgjegjësuar të rinjtë, komunitetet lokale për mos t’a ndotur mjedisin, për ta mbrojtur pasi një ndër problematikat kryesore të mjedisit sidomos në Shqipëri është ndotja, ndotja plastike që është preezente kudo.”

Aksioni u ndërmorr pas një studimi të zhvilluar në zonë.

“Gjatë studimit u hasën edhe problematika të ndryshme siç janë barrierat e ndryshme të vendosura përgjatë lumit Buna, apo rrjetat e vjetra të mbetura në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, plastik, mbetjet e të tjera.”

Për autoritetet prioritet do të jetë pastrimi edhe në plazhin e Velipojës. Sipas ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro situata do të monitorohet vazhdimisht gjatë sezonit me grupe të shtuara në terren, ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e bizneseve dhe qytetarëve.

“Shkodra këtë vit për të parën herë i shtohet listës së bashkive bregdetare ku agjencia kombëtare e bregdetit i bashkohet operatorit pastrues të Bashkisë 24 orë në terren, për të mbledhur mbetjet që shkaktohen nga shumëfishimi i popullisë. Por kemi shumë nevojë  për mbështetjen tuaj, pasi nëse ju si subjekte i nxirrni çdo një orë qeset me plehra nuk mund t’ja dalim. Duhet të respektojmë të dy palët oraret.”

Këto atraksione tërheqin çdo vit e më shumë vëmendjen e shumë turistëve, vendas dhe të huaj.

Klan News