Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka korrur sërish sukses spektakli Gjeniu i Vogël, produksion gjigand i TV Klan. Mbrëmja e sotme ka shënuar natën e parë të gjysmëfinalistëve të përzgjedhur midis 120 këngëtarëve të vegjël, që morë pjesë në fazën e parë të spektaklit.

Në këtë natë emocionuese debutuan 26 konkurrentë, ndërkohë që 26 të tjerë do të garojnë të hënën e ardhshme, nga këta do të zgjidhen finalistët, të cilët do të konkurrojnë për 10 netë, për të finalizuar gjithçka me shpalljen e Gjeniut këngëtar. Fëmijët instrumentistë dhe balerinë, do të nisin garën nga data 26 Prill dhe në vazhdim.

Për më shumë se 4 muaj, një staf i madh po punon për realizimin e këtij spektakli, i ideuar nga treshja Pandi Laço, Adrian Hila dhe Bledi Laço. Gjithçka tjetër është arritur me përkujdesjen e veçantë të komisionit përzgjedhës, i cili midis 7 mijë fëmijëve të testuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ka veçuar më të talentuarit.

Në netët e ardhshme të Gjeniut të Vogël do të marrin pjesë, si të ftuar specialë shumë personazhe të spektaklit. Vlerësime për spektaklin Gjeniu i Vogël kanë ardhur edhe nga kritika për interpretim e drejtpërdrejt të fëmijëve./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini