Mbeten të larta shifrat e vdekjeve ditore
Pandemia e koronavirusit duket e pandalshme edhe në Gjermani. Ky vend u fut në listën e shteteve me mbi 1 milion të prekur, teksa viktimat ditore shënuan shifrën e dytë më të lartë prej 389 rastesh, pas rekordit negativ të gjithë periudhës së pandemisë të shënuar ditën e enjte.
Edhe në këtë vend presioni në spitale po rritet. Autoritetet kanë në plan hapjen e qendrave të para të vaksinimit në qytetet e mëdha që në muajin Dhjetor, çka e bën Gjermaninë të parin vend me një plan konkret për nisjen e vaksinimit anti-covid.
Megjithatë, ky ishte një 24-orësh pa rekorde, çka i jep frymëmarrje pandemisë globale. Numri i viktimave ditore globale ra në gati 11 mijë, pas rekordeve radhazi të dy ditëve të fundit.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve gjatë 24 orëve të fundit u përgjysmua në krahasim me rekordin e valës së dytë të shënuar ditën e enjte.
Të larta ishin vdekjet ditore edhe në Itali, pranë rekordit të valës së dytë. Megjithatë infektimet ditore kanë nisur të bien dhe duket se vendi e ka kaluar kulmin e valës së dytë. Qeveria Konte ka në plan t’i mbajë me masa kufizuese të hapura bizneset gjatë periudhës së festave të fundvitit, për të mos i dhënë tjetër goditje ekonomisë.
Tv Klan