Shifrat e pandemisë nuk po ulen prej Nëntorit
Në Gjermani po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së karantinës kombëtare në ditët e fundit të këtij viti dhe në ato të parat e vitit të ardhshëm.
Mediat gjermane shkruajnë se zyrtarët e qeverisë Merkel po e shohin ashpërsimin e masave gjithnjë e më shumë si një mundësi për të penguar rritjen e shifrave të pandemisë, teksa infektimet ditore nuk po pësojnë rënie të qëndrueshme prej Nëntorit.
Kjo tregon se karantina e pjesshme nuk po jep rezultatet e dëshiruara, pasi janë rritur me 40% shtrimet në spitale. Panoramë më pozitive në vendet e tjera europiane si Italia dhe Spanja, ku gjatë këtyre javëve janë aplikuar karantinat rajonale.
Infektimet ditore janë në rënie të vazhdueshme. Megjithatë autoritetet e këtyre vendeve, por edhe në Francë ku vazhdon karantina kombëtare janë kursyer me lehtësimin e masave dhe kanë planifikuar të ndalojnë festimet në sheshe, natën e ndërrimit të viteve, por edhe grumbullimet masive për festën e Krishtlindjes.
Shifra të larta infektimesh ditore pranë rekordeve vijojnë të shfaqin Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Tv Klan