Ministrja gjermane për Evropën Anna Lührmann i tha Dw se iniciativat që synojne të forcojnë bashkëpunimin rajonal duhet të jenë vërtet gjithëpërfshirëse, që do të thotë se duhet të përfshihen edhe vende si Kosova.
Anna Lührmann: Para së gjithash, e kuptoj se ekziston një dëshirë e madhe për të bashkëpunuar në rajon. Në të njëjtën kohë, iniciativat që duan të forcojnë bashkëpunimin rajonal duhet të jenë vërtet gjithëpërfshirëse, që do të thotë se duhet të përfshihen edhe vende si Kosova. Dhe kjo është thelbësore për ne. Dhe instrumentet e procesit të Berlinit janë shumë të përshtatshme për këtë. Në Sofje ishte arritur një marrëveshje për një treg të përbashkët rajonal. Dhe kjo marrëveshje tani më në fund duhet të zbatohet.
Pas takimeve në Shkup e Tiranë, Lührmann tha se Bashkim Evropian duhet të mbajë premtimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke hapur sa më parë negociatat e anëtarësimit.
Anna Lührman: Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne si Bashkim Evropian në tërësi, ku përfshihet edhe Bullgaria, të mbajmë fjalën ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut, kanë bërë përparim të madh, sidomos në fushën e reformës në drejtësi. Në Shqipëri është vërtet e rëndësishme që të ecet përpara me procesin e vettingut, për çka nevojitet edhe ndihma e opozitës. Për këtë çështje biseduam, por në përgjithësi, e urova Shqipërinë edhe për vendosmërinë, me të cilën ajo ka zbatuar reformat në vitet e fundit.
Luhman shpreson se qeveria e re bullgare dhe ajo e re maqedonase do t’i zgjidhin sa më shpejt në format dypalësh çështjet mes tyre.
Anna Lührmann: Tani është me rëndësi që të zhvillohen bisedimet me Bullgarinë, në këtë format dypalësh. Dhe kam marrë sinjale shumë pozitive, inkurajuese si nga Shkupi ashtu edhe nga Bullgaria. Mendoj se ka një ndërgjegjësim të madh se është e rëndësishme të ecim përpara me këtë proces aderimi sa më shpejt që të jetë e mundur.
Qeveria e re federale gjermane sipas ministres Luhmann është perqendruar jo vetem tek integrimi evropian i këtyre shteteve, por edhe në mbrojtjen e klimës që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i zgjerojnë kapacitetet e energjive të rinovueshme, të rrisin efiçencën energjetike, por edhe mbrojtjen e natyrës.
Klan News