Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha të hënën së ndryshimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhë asnjë problem, ndërsa mund të nxisë tensione etnike.
Në një postim në rrjetin twitter ai u bëri jehonë qëndrimeve kundërshtuese të Gjermanisë ndaj ideve për korrigjimin e kufirit si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Të dashur miq në Kosovë dhe Serbi, rishkrimi i kufijve nuk do të zgjidhë asnjë problem. Një veprim i tillë do të hapte kutinë e Pandorës të armiqësive etnike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është thjesht shumetnike, shumëfetare dhe shumkulturore. E bashkuar në diversitet, kjo është Evropa
“, shkroi ministri tha Roth.
Edhe një pjesë e ministrave të vendeve të Bashkimit Evropian janë shprehur kundër ideve të tilla, ndërsa kanë mbështetur vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Mogherini: Mundësi për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Nogherini tha të hënën se ekziston mundësia që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre deri në vitin e ardhshëm, kur mbahen edhe zgjedhjet në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalimit të saj në konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian, zonja Mogherini tha se “mendoj që ekziston shansi që presidentët (Aleksandër) Vuçiç dhe (Hashim) Thaçi, të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse, detyruese e ligjore për normalizimin e marrëdhënieve që do të jetë në tërësi në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe që do të ndihmonte stabilizimin e gjithë rajonit”, tha ajo duke theksuar se vitin e ardhshëm “bëhen 20 vjet që nga lufta në Kosovë dhe është koha që t’i jepet fund atij konflikti”.
Lufta e vitit 1999 mori fund më ndërhyrjen e NATO-së për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.
Të dyja vendet janë përfshirë në diskutime të brendshme rreth ideve të presidentëve të tyre që kanë kërkuar mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje që mund të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit.
Qëndrimet janë të ndara edhe në komunitetin ndërkombëtarë midis atyre që do të pranonin një marrëveshje të tillë dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të ripërtërijë armiqësitë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë. /VOA