Gjykata e Posaçme dënoi me 1 vit e 3 muaj burg në mungesë Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si “Rrumi i Shijakut” pasi e gjeti fajtor atë për akzuën e korrupsionit. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 10 muaj heqje lirie.

Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vite burg për të duke argumentuar se konsideronte si rrethana rënduese rrezikshmërinë e të pandehurit dhe faktin që ka shmangur drejtësinë pasi ndodhet në arrati.

SPAK parashtroi në Gjykatë përmbajtjen e një videoje ku ëshë filmuar akti korruptiv i Lahos me Avokatin e Shtetit, Irgen Kërcyku. Si dhe dëshminë e këtij të fundit që ka pranuar se është korruptuar nga Laho.

Irgen Kërçuku, i dënuar më herët për këtë dosje, pranoi se në 2017-ën mori vlera monetare nga i ashtuquajturi Rrumi, në mënyrë që të hiqte dorë nga përfaqesimi i shtetit në një çështje gjyqësore për një pronë.

Ndërkohë, avokati i Aleksandër Lahos pretendoi pafajësi, ose në të kundërt dënimin e tij në minimum duke pretenduar se i pandehuri ndodhet në spital jashtë vendit në gjendje të rëndë dhe i gjymtuar.

Laho, i cili më herët ka mbajtur edhe emrin Pëllumb Muharremi, gjithashtu u shpall në kërkim nga Policia e Durrësit në 2022-shin, pasi dyshohet për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj.

Tv Klan