Por çfarë ndodhi?
Ndonjëherë fati thjeshtë nuk është me ty… Një i plagosur me armë zjarri e dy në pranga është rezultati i një ngjarjeje të ndodhur në Kurbin mbrëmjen e së mërkurës.
Çfarë ndodhi?
Në një njoftim zyrtar, policia thotë se ndërmori një operacion për të kapur një 28-vjeçar që rezultonte në kërkim prej 2023-t. Operacioni nisi pas informacioneve që autoritetet kishin marrë se, Klaudio Buraku ishte i armatosur. Informacioni ishte se ai po lëvizte me makinë në lagjen nr. 4 të qytetit të Laçit.
Teksa i afroheshin makinës së 28-vjeçarit policia dëgjoi të shtëna me armë zjarri, duke bërë që autoritetet të ndërhynin me shpejtësi. Por me po aq shpejtësi, i riu tentoi të largohej me makinë.
Ndjekja vijoi derisa në tentativë për t’i shpëtuar kapjes, Buraku goditi një prej makinave të policisë. Fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz dhe Klaudio Buraku u vu në pranga. Me vete iu gjetën 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov.

Po i plagosuri?
Gjatë kohës që policia ishte nisur për ta arrestuar, 28-vjeçari dyshohet se ndodhej në makinë bashkë me 2 persona të tjerë, një 26-vjeçar dhe një të afërm. Një sherr mes tyre për motive të dobëta, u bë shkak që i afërmi i 28-vjeçarit të plagoste në këmbë 26-vjeçarin.
Pas plagosjes ai zbriti nga makina dhe tentoi të arratisej, por përfundoi po ashtu në prangat e policisë. Ndërsa 26-vjeçari që mbeti i plagosur në këmbë u dërgua nga policia në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al