Fran Marashi mbyllet përjetë në qeli. Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e dhënë në 15 Maj të vitit 2000 për atë që njihet si masakra e Urës Vajgurore.

Ngjarja ka ndodhur më 16 Qershor në vitin 1997, ku humbën jetën 4 punonjës policisë dhe një civil. Në atë ngjarje u plagosën edhe dy policë të tjerë.  Blindi i policisë u sulmua me tank, nga anëtarët e bandës së Protoduarëve.

Marashi kishte kërkuar rigjykim pasi ishte dënuar në mungesë po me burgim të përjetshëm. Fran Marashi u ekstradua në vitin 2007 nga Italia dhe kërkoi vendosje në afat dhe rigjykim, nga e para. Çështja e tij ka bërë një kalvar të gjatë gjyqësor, por tashmë kemi një vendim nga drejtësia.

Fran Marashi pretendon se nuk i janë respektuar të drejtat dhe liritë themelore për një proces të rregullt ligjor. Ai theksonte se nuk ka pasur dijeni për gjyqin që është bërë në vitet 1999-2000, në ngarkim të tij. Marashi pretendon se është njohur me vendimin e gjykatës vetëm kur është arrestuar dhe ekstraduar nga Italia në Shqipëri. 

Dy vite më vonë ai tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej.

Me burg përjetë për të njëjtën ngjarje janë dënuar edhe Musa e Shkëlqim Protoduari. Ndërsa të tjerët janë dënuar me marzh më të ulët dënimi.

Klan News